KORREKT / SOT18 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

AGSH denoncon gjashtë incidente ndaj gazetarëve në Tiranë, pesë të lidhura me policinë

AGSH denoncon gjashtë incidente ndaj gazetarëve në Tiranë, pesë të lidhura me policinë

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar dhunën dhe pengimin e gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë ditës së gjashtë të protestave në Tiranë, më 18 tetor 2026.

Sipas njoftimit të AGSH-së, vetëm gjatë ditës së sotme janë identifikuar gjashtë incidente ndaj gazetarëve dhe fotoreporterëve, pesë prej të cilave lidhen me veprimet e raportuara të Policisë së Shtetit, ndërsa një tjetër me goditjen nga një gur i hedhur prej një protestuesi.

Në mesin e rasteve të denoncuara është ai i fotoreporterit Hameraldi Agolli, i cili, sipas pamjeve filmike, është ndaluar me dhunë nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.

AGSH e ka cilësuar këtë si ndërhyrje të papranueshme ndaj një punonjësi të medias, duke theksuar se gazetarët duhet të kenë mundësi t’i dokumentojnë zhvillimet në terren pa iu nënshtruar përdorimit të pajustifikuar të forcës.

Një tjetër rast i raportuar është ai i gazetarit të News24, Osman Stafa, i cili, sipas pamjeve filmike, është penguar nga efektivët e policisë gjatë raportimit nga protesta.

Po ashtu, gazetari Taulant Koplikaj raportohet të jetë goditur fizikisht nga efektivë të Policisë së Shtetit. Për këtë rast, AGSH ka kërkuar verifikimin e menjëhershëm të rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës.

Shqetësim të veçantë ka shkaktuar edhe rasti i gazetarit të News24, Renaldo Salianji, i cili, sipas njoftimit, është goditur fizikisht nga efektivë të policisë.

Sipas pamjeve filmike të përmendura nga AGSH, gjatë incidentit një efektiv policie i është drejtuar gazetarit me fjalët: “Më plasi mua që je gazetar”.

Asociacioni e ka cilësuar këtë deklaratë si tregues serioz të shpërfilljes së statusit profesional të gazetarit, nëse konfirmohet në rrethanat e raportuara.

Në mesin e incidenteve të denoncuara është edhe rasti i gazetares së Klan News, Glidona Daci, e cila, sipas raportimeve të marra nga AGSH, është goditur me gurë nga efektivë të Policisë së Shtetit.

AGSH ka dënuar këto incidente, duke vënë në pah se pengimi dhe dhuna ndaj gazetarëve cenojnë lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.

Në fund të njoftimit, Asociacioni ka shprehur solidaritet me të gjithë punonjësit e medias të prekur gjatë protestave, duke bërë të ditur se do të vazhdojë dokumentimin e incidenteve, ndjekjen e tyre pranë institucioneve përgjegjëse dhe informimin e partnerëve ndërkombëtarë për situatën e sigurisë së gazetarëve në Shqipëri./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.