Barcelona po pret rezultatet e ekzaminimeve mjekësore të tre mbrojtësve, Eric Garcia, Jules Kounde dhe Gerard Martin, të cilët përfunduan me probleme fizike ndeshjen ndaj Real Betisit.
Prania e tyre në duelin e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së është ende në dyshim.
Fitorja bindëse 5-2 ndaj Real Betisit nuk solli vetëm lajme të mira për Barcelonën. Skuadra e Hansi Flickut u përball edhe me shqetësime për gjendjen fizike të tre mbrojtësve, vetëm pak ditë para përballjes së rëndësishme me Paris Saint-Germainin.
Sipas raportimeve të “Mundo Deportivo”, klubi katalunas po i vlerëson gjendjet e Eric Garcias, Gerard Martinit dhe Jules Koundes, me synimin për të përcaktuar nëse do të jenë të gatshëm për ndeshjen e së martës në Paris.
Eric Garcia, shqetësimi kryesor
Eric Garcia është lojtari që shkakton më shumë shqetësim te stafi teknik i Barcelonës. Mbrojtësi u detyrua të largohej nga fusha në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Betisit, pasi ndjeu dhimbje në kofshën e djathtë.
Ai ishte futur në lojë në pjesën e dytë, duke zëvendësuar Gerard Martinin, por nuk arriti ta përfundonte takimin.
Fillimisht ekziston dyshimi se bëhet fjalë për një goditje, por ekzaminimet mjekësore pritet të qartësojnë natyrën e problemit dhe kohën e nevojshme për rikuperim.
Mungesa e tij do të ishte një goditje për Flickun, i cili duhet të përgatisë repartin defensiv përballë sulmit të rrezikshëm të PSG-së.
Gerard Martin dhe Kounde gjithashtu në dyshim
Gerard Martini u largua nga fusha në pushimin mes pjesëve, pasi pësoi një goditje në thembër gjatë pjesës së parë.
Mbrojtësi provoi të vazhdonte lojën, por u zëvendësua për arsye sigurie.
Sipas raportimit të “Mundo Deportivo”, zona e goditur ishte e ënjtur, por shenjat fillestare ishin më qetësuese dhe nuk kishte konfirmim për ndonjë dëmtim serioz.
Ndërkohë, Jules Kounde, i cili hyri në lojë në vend të Eric Garcias, gjithashtu përfundoi ndeshjen me shqetësime fizike në kyçin e këmbës.
Për momentin, gjendja e francezit nuk konsiderohet aq shqetësuese sa ajo e Eric Garcias, por edhe ai duhet të vlerësohet nga stafi mjekësor.
Flick duhet të gjejë zgjidhje para PSG-së
Trajneri gjerman e ka bërë të qartë se rikuperimi i futbollistëve është përparësia kryesore para ndeshjes në Paris.
“Duhet të presim rezultatet e ekzaminimeve mjekësore”, ishte mesazhi i Flickut pas fitores ndaj Betisit.
Barcelona do të ketë pak kohë për t’u përgatitur për këtë përballje, ndërsa gjendja e tre mbrojtësve mund të ndikojë drejtpërdrejt në zgjedhjet e trajnerit.
Në rast se ndonjëri prej tyre mungon, Flick do të duhet të riorganizojë repartin defensiv për një ndeshje që mund të ketë rëndësi të madhe në garën evropiane.
Për Barcelonën, synimi tani është që të rikuperojë sa më shumë futbollistë dhe të udhëtojë drejt Parisit me sa më shumë alternativa në dispozicion. /Zëri

