Të dielën, Franca po përballej me pasojat e dëmeve të mëdha të shkaktuara gjatë protestave të dhunshme një ditë më parë, ku u arrestuan 1800 persona, u dogj një ndërtesë historike e bashkisë dhe pati grabitje të përhapura.
“Është sikur të kemi kaluar një luftë”, ka thënë për agjencinë AFP, Mehmet Ozeden, një banor 78-vjeçar në qendër të Parisit, ndërsa qëndronte pranë barrikadave të djegura në rrugë.
Kjo situatë e rëndë e vë në një pozitë edhe më të vështirë presidentin Emmanuel Macron, i cili ndodhet në muajt e fundit të mandatit të tij, përpara zgjedhjeve që do të mbahen pas gjashtë muajsh për të zgjedhur pasuesin e tij.
Ngjarjet pasuan javë të tëra protestash studentore, të cilat herë pas here u shndërruan gjithashtu në protesta të dhunshme.
Zyra e presidentit njoftoi se Macron do t’i drejtohet kombit të dielën në mbrëmje.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, deklaroi se janë arrestuar 1800 persona dhe se kanë nisur hetimet “për të identifikuar autorët e këtyre veprimeve, në mënyrë që ata të vihen para drejtësisë”.
Në Paris, ku sipas policisë u regjistrua një shifër rekord prej 855 të arrestuarish, rrugë të shumta mbetën të shkatërruara nga makinat e djegura, vitrinat e thyera dhe mbetjet e zjarreve.
Kryeqyteti përjetoi “një nivel dhune që, besoj, nuk e kemi parë kurrë më parë”, u shpreh nënkryetarja e bashkisë së Parisit, Lamia El Aaraje.
Gjatë protestave kundër kostos së lartë të jetesës, qindra dyqane u grabitën në Paris dhe në qytete të tjera, përfshirë Marsejën, Bordonë, Nicën dhe Strasburgun.
Sipas Federatës së Tregtisë me Pakicë, rreth 1500 biznese pësuan dëme, duke shkaktuar humbje që vlerësohen në qindra miliona euro.
Anita Gras, një banore e Parisit e cila kishte dalë për vrap mes rrënojave, tregoi se pa disa të rinj duke grabitur një dyqan këpucësh sportive.
“Ata qëndruan aty deri në orën 01:00 të mëngjesit; kishim frikë se mos na gjuanin me objekte”, tha ajo.
“Është e tmerrshme, e frikshme… dje (të shtunën) erdhën grupe të rinjsh, grabitën dhe thyen gjithçka, pa u ndëshkuar fare”, ka thënë një tjetër banore, 57-vjeçarja Cecile Rogue, ndërsa shikonte një grumbull biçikletash të djegura.
Diku tjetër, në qytetin e Limoges, ndërtesa e bashkisë, e ndërtuar në shekullin e 19-të, u shkatërrua nga zjarri.
Prefekti lokal, Maurice Barate, i tha kanalit informativ LCI se zjarri ishte vënë qëllimisht nga “një turmë e egër” dhe u vu nën kontroll vetëm të dielën herët.
Kryetari i bashkisë së Lionit, Gregory Doucet, u shpreh se “kaosi që mbretëroi në qytet për disa orë ishte i tmerrshëm”.
Një zyrë turistike në qendër të Lionit u përfshi nga flakët gjatë protestave, të cilat u shoqëruan me përplasje të shumta dhe grabitje.
Akuzat e ndërsjella politike pasuan shpejt; qeveria dhe liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, fajësuan grupet e së majtës ekstreme, ndërsa lideri i së majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon, akuzoi autoritetet se kanë nxitur tensionet. /Telegrafi/

