Barcelona ka pasur probleme me udhëtimin e kthimit pas fitores bindëse 5-2 ndaj Real Betisit në kuadër të La Ligës, pasi kushtet e këqija atmosferike në Barcelonë kanë penguar nisjen e fluturimit sipas orarit të planifikuar.
Klubi katalunas ka konfirmuar përmes një njoftimi në rrjetin social X se skuadra do të qëndrojë gjatë natës në Sevillë, për shkak të motit të lig që ka përfshirë qytetin e Barcelonës.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick udhëtoi drejt Sevillës për ndeshjen e së shtunës ndaj Real Betisit, ku arriti një fitore të thellë me rezultat 5-2. Pas përfundimit të takimit, futbollistët pritej të ktheheshin në Barcelonë, por planet ndryshuan për shkak të kushteve atmosferike.
“Për shkak të kushteve të këqija atmosferike që po ndikojnë në Barcelonë, fluturimi i ekipit të parë nuk mund të nisej sipas orarit të planifikuar. Skuadra do të qëndrojë gjatë natës në Sevillë”, thuhet në njoftimin e klubit.
Deri më tani, Barcelona nuk ka bërë të ditur se kur do të realizohet kthimi i skuadrës në shtëpi.
Kështu, pas një mbrëmjeje të suksesshme në fushë, ku triumfoi me tri gola diferencë ndaj Betisit, skuadra katalunase është detyruar të ndryshojë planet e udhëtimit për shkak të motit. /Telegrafi/

