Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka veçuar lidhjet hekurudhore me portet e Durrësit dhe Selanikut, si dhe investimet në Brezovicë, ndër projektet kapitale që duhet të marrin përparësi në Kosovë.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, Rafuna tha se zhvillimi i hekurudhave ka rëndësi përtej ekonomisë dhe transportit të qytetarëve, duke e lidhur atë edhe me sigurinë kombëtare dhe integrimin në NATO.
“Te projektet kapitale urgjente i kemi hekurudhat, jo vetëm për zhvillimin ekonomik, jo vetëm për qarkullimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Është çështje e integrimit në NATO, është çështje e sigurisë kombëtare”, deklaroi ai, shkruan Telegrafi.
Rafuna kërkoi që përparësi t’i jepet lidhjes hekurudhore me Shqipërinë dhe portin e Durrësit, si dhe lidhjes përmes Shkupit me portin e Selanikut në Greqi.
“Hekurudhën e kemi shumë urgjente ta lidhim me Shqipërinë, me portin e Durrësit, por edhe përmes Shkupit me portin e Selanikut. Ky është projekti i parë urgjent”, u shpreh ai.
– YouTube www.youtube.com
Krahas hekurudhave, Rafuna veçoi Brezovicën si një tjetër projekt të madh kapital ku duhet të përqendrohen investimet.
“I dyti, projekti më i madh kapital, është Brezovica”, tha ai.
Duke folur për mundësitë e zhvillimit të turizmit, Rafuna theksoi se Kosova duhet t’i shfrytëzojë pasuritë malore. Ai përmendi edhe Borean dhe Rugovën në kuadër të diskutimit për potencialin turistik të vendit.
“Ne nuk e kemi detin. E prekëm pak më herët turizmin shëndetësor, mirëpo tash po vijmë te turizmi malor. Ne kemi bjeshkë të bukura”, deklaroi Rafuna. /Telegrafi/

