Një festë private e organizuar nga Vinicius Junior në Madrid është kthyer në temë diskutimi në mediat sportive, pasi në internet janë publikuar pamje nga eventi i mbajtur më 15 tetor. Sipas raportimeve të mediave braziliane dhe evropiane, në festë kanë qenë të pranishëm edhe disa futbollistë të tjerë të Real Madridit.
Sipas faqes braziliane LeoDias, e cila raportoi e para për ngjarjen, në mbledhjen e organizuar në shtëpinë e sulmuesit brazilian kanë marrë pjesë edhe Jude Bellingham, Eduardo Camavinga dhe Dean Huijsen.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale kanë nxitur reagime të shumta, ndërsa vëmendje të veçantë ka marrë prania e Bellinghamit.
Sipas raportimeve, mes të pranishmëve kishte vajza që më vonë publikuan përmbajtje nga eventi dhe etiketuan profilet e Viniciusit dhe Bellinghamit.
Gjithashtu, mediat kanë raportuar se mesfushori anglez është larguar nga festa para të tjerëve. Ndërkohë, kanë qarkulluar edhe pretendime për marrëdhënien e tij me partneren Ashlyn Castro, por këto informacione nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi Vinicius dhe influencuesja braziliane Virginia Fonseca njoftuan ndarjen e tyre, më 11 tetor. Pas këtij lajmi, mediat braziliane raportuan se sulmuesi ishte parë në shoqërinë e bashkëlojtarëve dhe influencuesve.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Real Madridi apo nga futbollistët e përmendur. Gjithashtu, pamjet e publikuara nuk japin një pasqyrë të plotë të asaj që ka ndodhur gjatë festës, ndaj pretendimet që kanë qarkulluar në media duhen trajtuar me kujdes. /Telegrafi/

