Mevlan Zeka është rikthyer te Gjilani, aty ku kishte qenë edhe gjatë sezonit 2022/2023, me synimin për të ndihmuar skuadrën të arrijë objektivat e saj në futbollin kosovar.
Sulmuesi, i cili pas një fillimi të vështirë të sezonit, të ndikuar nga një lëndim që e kishte penguar të ishte në formën optimale, ka lënë pas problemet fizike dhe ka nisur të japë kontributin e tij për skuadrën.
Zeka realizoi dy golat e tij të parë pas rikthimit te Gjilani në ndeshjen ndaj Drenicës, duke marrë një shtysë të rëndësishme për vazhdimin e sezonit.
Gjilani aktualisht renditet në vendin e katërt me 14 pikë, ndërsa synimi i skuadrës është të qëndrojë në garë për pozitat e larta dhe ta mbyllë gjysmësezonin sa më mirë.
Në një intervistë për Telegrafin, Mevlan Zeka ka folur për rikthimin te Gjilani, vështirësitë e fillimit të sezonit, rëndësinë e golave të parë, atmosferën brenda skuadrës dhe objektivat që synon t’i arrijë së bashku me klubin dhe tifozët, Skifterat.
Mevlan, je rikthyer te Gjilani pas aventurës së parë në sezonin 2022/2023. Si po e përjeton këtë rikthim dhe cilat janë pritshmëritë e tua për këtë sezon?
Zeka: Jam rikthyer te Gjilani sepse me këtë skuadër kemi kaluar momente shumë të vështira, por pavarësisht gjithçkaje, kemi arritur të dalim në Evropë dhe të jemi finalistë të Kupës së Kosovës. Sot, skuadra ka një organizim shumë të mirë dhe besoj se së bashku duhet t’i japim diçka të veçantë këtij klubi.
Pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara, ndaj Drenicës shënove dy golat e parë me fanellën e Gjilanit pas rikthimit. Sa të rëndësishëm ishin këta gola për vetëbesimin tënd?
Zeka: Kam pasur një lëndim që nga ndeshja e dytë dhe për këtë arsye nuk kam qenë 100% në formën që kam dëshiruar. Fillimi nuk ishte ai që e prisja, por e kam kaluar plotësisht lëndimin dhe nuk jam dorëzuar në asnjë moment. Kam punuar vazhdimisht për t’u rikthyer te golat dhe për ta ndihmuar skuadrën sa më shumë.
Gjilani aktualisht renditet në vendin e katërt me 14 pikë. Si e vlerëson startin e sezonit dhe deri ku mendon se mund të arrijë skuadra këtë edicion?
Zeka: Sa i përket skuadrës, synimi ynë është ta mbyllim këtë gjysmësezon sa më lart në tabelë, të jemi konkurrues dhe të qëndrojmë vazhdimisht në garë, në mënyrë që në fund të sezonit ta arrijmë objektivin tonë, të cilin Gjilani padyshim e meriton.
Cilat mendon se janë pikat më të forta të Gjilanit dhe çfarë duhet të përmirësoni për të qenë edhe më konkurrues në luftën për pozitat e larta?
Zeka: Gjilani ka një grup të jashtëzakonshëm brenda skuadrës. Mbizotëron një atmosferë perfekte dhe, pa dyshim, secili prej nesh duhet të japë maksimumin për këtë fanellë dhe për këtë skuadër.
Cili është objektivi yt personal për këtë sezon dhe çfarë mesazhi ke për tifozët e Gjilanit që presin më shumë gola dhe rezultate pozitive nga skuadra?
Zeka: Objektivi im personal është të vazhdoj me paraqitje pozitive, ta ndihmoj skuadrën sa më shumë dhe që, në fund, së bashku t’i arrijmë objektivat tona.
Natyrisht, këtë rrugëtim duam ta vazhdojmë së bashku me tifozët tanë, Skifterat, të cilët na mbështesin fuqishëm në çdo ndeshje. Mbështetja e tyre është shumë e rëndësishme për ne dhe shpresoj që së bashku t’ua kthejmë me rezultate të mira dhe me arritjen e objektivave që i kemi vendosur si skuadër. /Telegrafi/

