Në Shkollën “Astrit Bytyqi” në Ferizaj ka nisur sot (e shtunë), më 17 tetor, edicioni i shtatë i Turneut Memorial të Pingpongut “Gani Maloku”, i cili mbledh pingpongistë nga Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit.
Turneu, që po zhvillohet më 17 dhe 18 tetor, synon të promovojë sportin e pingpongut dhe të nderojë figurën e kontributin e Gani Malokut në zhvillimin e këtij sporti.
Gani Maloku ishte veteran i pingpongut dhe i arsimit, i cili dha kontribut në zhvillimin e këtij sporti në Ferizaj.
Emri i tij vazhdon të kujtohet përmes këtij turneu memorial, që bashkon sportistë të gjeneratave të ndryshme dhe ruan gjallë kujtimin për kontributin e tij.
Në nderim të tij, edhe një klub i pingpongut në Ferizaj mban emrin “Gani Maloku”.
Përveç rëndësisë së veçantë simbolike, ky aktivitet përbën edhe një mundësi për garuesit që të dëshmojnë cilësitë e tyre sportive, në një atmosferë të karakterizuar nga rivaliteti, emocionet dhe respekti i ndërsjellë.
Një motivim shtesë për pjesëmarrësit është edhe fondi i shpërblimeve prej 1.100 eurosh për kategorinë Senior, në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave.
Garat kanë nisur nga ora 10:00 dhe do të vazhdojnë edhe nesër, më 18 tetor, duke e kthyer Ferizajn në një pikëtakim për dashamirët e pingpongut dhe sportistët nga rajoni. /Telegrafi/

