KORREKT / SOT17 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Çfarë u kushton qytetarëve ngecja e investimeve kapitale?

Çfarë u kushton qytetarëve ngecja e investimeve kapitale?

Mungesa e çerdheve publike i detyron shumë prindër t’u drejtohen kopshteve private, duke shtuar shpenzimet familjare. Ky është një nga shembujt se si mosrealizimi i investimeve kapitale prek jetën e përditshme të qytetarëve, thotë Albulena Nrecaj nga organizata joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO).

“Unë jam nënë vetë dhe detyrohem që fëmijën tim ta dërgoj në kopsht privat, i cili edhe kushton, edhe nuk më ofron kushtet që do të duhej t'i ofronte një kopsht publik”, thotë Nrecaj.

Përtej shifrave buxhetore, sipas saj, pasojat shihen në qasjen në shërbime publike, në kohën e udhëtimit, në mundësitë për punësim dhe në shpenzimet familjare.

“Qytetari humb shërbimin të cilin shteti duhet t'ia ofrojë”, thotë ajo.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, Qeveria e Kosovës shpenzoi vetëm 18 për qind të buxhetit të planifikuar për investime kapitale.

“Fatkeqësisht, jo vetëm në këtë vit, por edhe në vitet e kaluara, ne kemi parë një cikël shumë të ulët të zhvillimit të projekteve të cilat kanë për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve”, thotë Nrecaj.Sipas saj, investimet kapitale kanë rëndësi edhe për ekonominë, pasi realizimi i tyre krijon punë për operatorët ekonomikë dhe mundëson qarkullimin e parasë në treg.

Nrecaj thotë se shpenzimet përmes prokurimit publik përbëjnë rreth 10 për qind të bruto produktit vendor të Kosovës, çka e bën këtë fushë të rëndësishme për aktivitetin ekonomik.

Kur projektet vonohen, sipas saj, edhe bizneset humbin mundësitë për të realizuar punë dhe për të shfrytëzuar kapacitetet e tyre.

Pse ngecin investimet kapitale?

Nrecaj thotë se realizimi i vetëm 18 për qind të buxhetit në gjysmën e parë të vitit ishte i pritshëm, pasi kishte pak projekte për të cilat ishin iniciuar procedurat për t’i realizuar.

Sipas saj, as kjo shumë nuk nënkupton domosdoshmërisht investime të reja, pasi përfshin edhe pagesa për detyrime ligjore në rastet që kanë përfunduar në procedurë përmbarimore.

Ndër problemet kryesore, ajo rendit planifikimin e mangët të projekteve, keqmenaxhimin e kontratave me operatorët ekonomikë që kryejnë punimet dhe vështirësitë me shpronësimet.

“Ne nuk kemi mbikëqyrje adekuate”, thekson ajo, duke përmendur rastin kur një menaxher kontratash në një institucion duhej të menaxhonte rreth 13 kontrata brenda një viti fiskal.

Sipas Nrecajt, përfaqësuesit politikë premtojnë projekte pa analizuar mirë sa janë të realizueshme ato.

“U premtohet qytetarëve se do t'i ndërtojnë, e do t'ua zgjidhim çështjen e spitaleve, rrugëve, shkollave e të tjera, por pa e pasur parasysh aspektin e planifikimit dhe vështirësitë që mund të dalin në momentin kur e fusim atë projekt në buxhet”, thotë ajo.

Shpronësimi, sipas saj, bëhet pengesë kur qytetarët mësojnë se një projekt do të shtrihet në pronat e tyre vetëm pasi ai është përfshirë në planin buxhetor të shtetit.

“Njerëzit me shumë legjitimitet kërkojnë çmimin më të lartë për pronën e vet dhe në këtë kuptim shfaqen pengesa të tjera, ka edhe të tjerë që nuk dëshirojnë fare ta japin pronën e tyre.”

Këto probleme, sipas Nrecajt, i zvarrisin projektet dhe ua vonojnë qytetarëve shërbimet që u janë premtuar./Radio Evropa e Lire

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.