KORREKT / SOT17 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Ekonomi

Inflacioni arrin në 7,8%, ekspertët kritikojnë Qeverinë: Qytetarët po varfërohen

Inflacioni arrin në 7,8%, ekspertët kritikojnë Qeverinë: Qytetarët po varfërohen

Rritja e çmimeve të konsumit në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë shtatorit 2026, duke arritur në 7,8 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Shtrenjtimi më i madh është regjistruar te transporti, me 23,9 për qind, si dhe te strehimi, energjia elektrike dhe lëndët djegëse, me 11,9 për qind.

Përderisa qytetarët po përballen me shpenzime gjithnjë e më të larta, ekonomistët dhe përfaqësuesit e konsumatorëve paralajmërojnë se vazhdimi i këtij trendi mund ta rëndojë më tej standardin e jetesës.

Ata kritikojnë mungesën e masave të mjaftueshme institucionale për zbutjen e pasojave të inflacionit, ndërsa kërkojnë politika konkrete për mbrojtjen e fuqisë blerëse, rritjen e punësimit dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Inflacioni në Kosovë, profesori i ekonomisë paralajmëron rritje të çmimeve edhe në muajt e ardhshëm

Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka vlerësuar se Kosova po përballet me rritje të lartë të kostos së jetesës, e cila pritet të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm.

Duke komentuar të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), sipas të cilave çmimet e konsumit në shtator 2026 janë rritur për 7,8 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, Misini ka thënë se kjo situatë do të ndikojë në varfërimin e mëtejmë të qytetarëve.

Sipas tij, rritja e kostos së jetesës në Kosovë është më e larta në rajon dhe në Evropë, ndërsa këtë situatë e lidh me mungesën e profesionalizmit ekonomik në institucionet e vendit. Misini ka paralajmëruar se shtrenjtimi do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, duke rënduar më tej gjendjen ekonomike të qytetarëve, ndonëse Kosova renditet ndër vendet me ekonomi më të dobët.

‘’ Kosova ka rritjen e kostos se jetesës me te lartën ne rajon dhe me te lartën ne Evrope. Kjo tregon qe kemi njerëzve ne institucione te Kosovës, te cilët kane mungese elementare  te profesionalizimit ne ekonomi. Kosova edhe ne muajt ne vazhdim do te ketë rritje te çmimeve. Kjo do ta varfëroj qytetarin e Kosoves edhe me tutje, edhe pse jemi nder vendet me ekonomi me te dobët’’, tha Misini.

Misini ka thënë se inflacioni prek një gamë të gjerë të produkteve dhe shërbimeve, përfshirë shërbimet komunale, transportin, energjinë dhe produktet e tjera të konsumit.

‘’ Inflacioni eshte ne mënyre zingjirore, i prek te gjitha çmimet duke filluar nga shërbimet komunale, çmimet e transportit, energjisë, dhe produkteve te tjera’’, thotë Misini.

Sipas profesorit, vazhdimi i këtij trendi pritet të ndikojë në uljen e cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe të ketë pasoja negative në kërkesën e përgjithshme në ekonomi në periudhën afatgjatë.

Misini ka vlerësuar se rritja e vazhdueshme e çmimeve do të shtojë presionin mbi buxhetet familjare dhe do të dobësojë më tej fuqinë blerëse të qytetarëve.

‘’Kjo tregon qe do te ulet cilësia e jetesës për qytetaret kosovar, qe do te ndikoj negativisht ne kërkesën e përgjithshme ne periudhën afatgjate. Kosova do te ketë rritje te çmimeve edhe për muajt e ardhshëm’’, përfundon Misini.

Inflacioni prej 7,8%, Muhaxheri kritikon Qeverinë për mungesë masash në mbrojtje të qytetarëve

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Arton Muhaxheri, vlerëson se rritja vjetore e çmimeve të konsumit prej 7,8 për qind dëshmon për presionin e madh ekonomik me të cilin po përballen qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, kur çmimet rriten, ndërsa pagat nuk e ndjekin të njëjtin ritëm, qytetarët humbin fuqinë blerëse dhe e kanë gjithnjë e më të vështirë ta përballojnë koston e jetesës.

‘’ Rritja vjetore e çmimeve të konsumit prej 7,8% është dëshmi e presionit të madh ekonomik me të cilin po përballen qytetarët e Kosovës. Kur çmimet rriten, ndërsa pagat nuk e përcjellin të njëjtin ritëm, qytetarët humbin fuqinë blerëse dhe e kanë gjithnjë e më të vështirë ta përballojnë koston e jetesës’’, tha Muhaxheri për FrontOnline.

Muhaxheri thotë se shtrenjtimi i transportit për 23,9 për qind dhe i strehimit, energjisë elektrike e lëndëve djegëse për 11,9 për qind e rëndon edhe më shumë gjendjen ekonomike të familjeve. Këto rritje ndikojnë edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera, duke bërë që qytetarët të shpenzojnë më shumë për nevojat e përditshme dhe të kenë më pak mundësi për kursime.

‘’ Shtrenjtimi i transportit për 23,9% dhe i strehimit, energjisë elektrike e lëndëve djegëse për 11,9% e rëndon edhe më shumë këtë situatë, sepse këto kosto reflektohen zinxhir edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Në fund, kjo do të thotë se qytetarët paguajnë më shumë për të njëjtat nevoja, ndërsa mundësitë e tyre për të kursyer dhe për të përmirësuar mirëqenien po zvogëlohen’’, deklaron Muhaxheri.

Muhaxheri  shpreh shqetësim për mungesën e masave efektive nga Qeveria për zbutjen e kësaj barre ekonomike. Sipas Muhaxherit, edhe pse institucionet nuk mund t’i kontrollojnë të gjitha çmimet, ato duhet të ndërmarrin hapa konkretë për mbrojtjen e fuqisë blerëse, mbështetjen e familjeve në nevojë dhe mbikëqyrjen e tregut për të identifikuar e parandaluar abuzimet eventuale me çmime.

‘’ Ajo që është shqetësuese, përveç rritjes së çmimeve, është mungesa e një reagimi efektiv të Qeverisë për ta zbutur këtë barrë mbi qytetarët. Qeveria nuk mund t’i kontrollojë të gjitha çmimet, por nuk mund të sillet as si spektatore përballë një situate që po e rëndon çdo ditë buxhetin familjar. Nuk mjaftojnë deklaratat për rritje pagash apo për përmirësim ekonomik, nëse në fund të muajit familjeve u mbeten gjithnjë e më pak para për t’i mbuluar nevojat elementare’’, thotë Muhaxheri.

Për të përballuar këtë situatë në mënyrë të qëndrueshme, sipas tij, nevojiten politika afatgjata ekonomike, krijimi i vendeve të punës me paga dinjitoze, mbështetja e bizneseve prodhuese dhe zvogëlimi i varësisë nga importi. Varësia nga produktet e importuara e bën Kosovën më të ndjeshme ndaj ndryshimeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, të cilat mund të reflektohen shpejt te konsumatorët vendorë.

Në fund, Muhaxheri vlerëson se institucionet duhet të reagojnë me kohë ndaj sfidave ekonomike dhe të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e politikave të tyre, duke e vendosur mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve në fokus të vendimmarrjes.

‘’ Për më tepër, Qeveria duhet ta kuptojë se përballimi i kostos së jetesës nuk zgjidhet me masa të përkohshme dhe ndërhyrje vetëm në prag të zgjedhjeve, por kërkon politikë të qëndrueshme ekonomike, krijim të vendeve të punës me paga dinjitoze, mbështetje për bizneset prodhuese dhe ulje të varësisë nga importi. Kur një vend varet shumë nga produktet e importuara, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare mund të bartet shpejt te konsumatori vendor. Kjo kërkon institucione që parashikojnë problemet dhe reagojnë me kohë, e jo që presin derisa qytetarët ta ndiejnë krizën në xhepin e tyre’’, përfundon Muhaxheri.

 “Qytetarët po stërviten ta mirëpresin varfërinë”, Kaçaniku kritikon pushtetin dhe opozitën

Rritja e çmimeve dhe inflacioni po vazhdojnë të rëndojnë jetesën e qytetarëve në Kosovë, ndërsa shqetësimet po shtohen për mospërputhjen mes të ardhurave dhe kostos së jetesës.

Selatin Kaçaniku, themelues i OJQ-së “Konsumatori”, vlerëson se, përveç ndikimit të tregut global, përgjegjësi për këtë situatë kanë edhe institucionet vendore dhe partitë politike që kanë qeverisur vendin gjatë 27 vjetëve të fundit.

Ai thotë se, ndonëse është i vetëdijshëm për vështirësitë që sjellin zhvillimet ndërkombëtare, Qeveria nuk po i përfshin sa duhet qytetarët konsumatorë në hartimin e politikave dhe planifikimin e buxhetit.

“Si qytetarë konsumatorë të Republikës së Kosovës jemi plotësisht të vetëdijshëm se rritja e çmimeve dhe e inflacionit burojnë edhe nga tregu global. Këtu jemi në ‘frekuencë’ me Qeverinë dhe bashka ndjejmë për vështirësitë që i ka në menaxhimin e këtyre problemeve dhe pasojat e tyre”, shprehet Kaçaniku.

Megjithatë, ai kritikon institucionet për, siç thotë, injorimin e vazhdueshëm të konsumatorëve dhe mungesën e politikave që do të merrnin parasysh nevojat e tyre.

“Pra, mendoj se aq sa është faktori global fajtor për ngritjen e çmimeve dhe të inflacionit, aq është përgjegjës edhe faktori vendor – për 27 vite me radhë”, thekson ai.

Kaçaniku konsideron se qytetarët po detyrohen të përshtaten me një realitet ekonomik që po prodhon varfëri, ndërsa dallimet sociale po thellohen. Sipas tij, të ardhurat dhe mundësitë ekonomike të qytetarëve nuk po përmirësohen në përputhje me shtrenjtimin e jetesës.

“27 vite partitë politike në pushtet e opozitë po na detyrojnë t’i bindemi ‘realitetit’ të ngritjes së çmimeve dhe të inflacionit që po prodhojnë varfëri”, deklaron Kaçaniku.

Ai shton se kjo gjendje po ndikon në krijimin e një shoqërie ku shtresat e varfra po përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha, ndërsa një pjesë e të pasurve po e shtojnë pasurinë e tyre.

“Të varfërit po varfërohen në vazhdimësi e të pasurit po pasurohen dhe pasurinë e tyre, nga djersa dhe paraja e qytetarit konsumator, po e kapitalizojnë dhe po investojnë jashtë Shtetit?!”, shprehet ai.

Duke folur për shpenzimet mujore, themeluesi i OJQ-së “Konsumatori” thotë se vështirësitë e familjeve për të mbuluar nevojat bazë janë pasojë e mosmarrjes parasysh të interesave të konsumatorëve në politikat institucionale.

Ai thekson se qytetari konsumator është njëkohësisht taksapagues dhe kontribuues kryesor në buxhetin e shtetit, por, sipas tij, planifikimi i shpenzimeve publike po bëhet pa përfshirjen e duhur të tij.

“Qytetari konsumator, familja konsumatore përballjen me mbulimin e shpenzimeve mujore për ushqim, shëndet e shërim, energji, ngrohje… e transport po e paguajnë edhe me shëndet”, thotë Kaçaniku.

Sipas tij, kjo situatë po krijon edhe ndjenjë të përjashtimit dhe të pakënaqësisë te qytetarët, të cilët presin që institucionet të kujdesen për nevojat e tyre dhe të garantojnë kushte dinjitoze jetese.

Sa i përket pagave dhe pensioneve, Kaçaniku vlerëson se niveli aktual i tyre nuk është në përputhje me koston e jetesës në Kosovë. Ai e konsideron veçanërisht të rëndë gjendjen e pensionistëve, ndërsa thekson se pagat duhet të vlerësohen në raport me çmimet dhe dallimet ekonomike me vendet e Bashkimit Evropian.

“Për pensione nuk kemi çka të flasim. Ato janë ofenduese, nënçmuese, indinjuese… Nuk vlejnë as sa një ndihmë sociale?!”, shprehet ai.

Ndërkaq, duke folur për pagat, Kaçaniku kërkon që të merret parasysh raporti mes çmimeve në Kosovë dhe nivelit të të ardhurave të qytetarëve.

“Bëni llogarinë e përballimit me çmimet që janë mbi ato të BE-së me pagat deri në 10 herë më të ulëta se në BE?!”, deklaron Kaçaniku.

Ai thekson se institucionet kanë përgjegjësi për të mbrojtur konsumatorët nga pasojat e rritjes së çmimeve dhe për të krijuar një ekuilibër mes të ardhurave dhe shpenzimeve të familjeve.

“Qeveria e ka mandat që t’ia sigurojë qytetarit konsumator taksapagues baraspeshën mes të hyrave e shpenzimeve. T’ia sigurojë një standard dinjitoz, një mirëqenie sociale që nuk do ta turpëronte para askujt, as para Zotit të Madh”, thekson ai.

Kaçaniku kritikon edhe atë që e konsideron favorizim të bizneseve në dëm të konsumatorëve, duke argumentuar se detyra kryesore e Qeverisë duhet të jetë mbrojtja e interesit publik dhe e qytetarëve që kontribuojnë në buxhet.

“Nuk është detyrë e Qeverisë t’u vardiset bizneseve. Ato veprojnë për përfitimet e tyre. Disa me çdo kusht, edhe duke e dëmtuar qytetarin konsumator. D.m.th. qytetari konsumator taksapagues është parapaguar te Qeveria të kujdeset për të e jo ta tradhtojë duke e favorizuar biznesin në dëm të qytetarit konsumator!”, shprehet ai.

Sa u përket masave konkrete për lehtësimin e barrës ekonomike të familjeve, Kaçaniku shpreh dyshime se Qeveria do të jetë e gatshme të pranojë këshilla nga qytetarët, por megjithatë propozon disa hapa që, sipas tij, duhet të ndërmerren.

Ai kërkon që institucionet ta njohin dhe ta përfshijnë qytetarin konsumator në hartimin e politikave, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë presion demokratik për këtë qëllim.

“Qeveria duhet ta njohë e konsiderojë qytetarin konsumator taksapagues. Nëse Qeveria vazhdon me injorancë, atëherë të gjithë qytetarët konsumatorë të Republikës së Kosovës duhet t’i bëjnë presion demokratik Qeverisë – deri në njohje”, thotë Kaçaniku.

Ndër propozimet e tij është edhe hapja e vendeve të reja të punës përmes buxhetit të shtetit, si dhe zbatimi i projektidesë “Gjenerimi i qëndrueshëm i punësimit”, të cilën thotë se e kishte prezantuar vite më parë para Ministrisë së Punës.

Po ashtu, ai kërkon mbështetje për qytetarët në gjendje të rëndë ekonomike përmes zbatimit të modelit franko-gjerman.

Kaçaniku përfundon se pa politika që garantojnë punësim, të ardhura të mjaftueshme dhe mbështetje sociale, vështirë se mund të sigurohet standard dinjitoz jetese për qytetarët e Kosovës.

‘’ Qeveria duhet ta njohë e konsiderojë qytetarin konsumator taksapagues. Nëse Qeveria vazhdon me injorancë atëherë të gjithë qytetarët konsumatorë të Republikës së Kosovës duhet t i bëjnë presion demokratik Qeverisë- deri në njohje;

 Nga Buxheti të cilin e gjeneron qytetari konsumator Qeveria duhet t ju hapë vende pune;. Në këtë kontekst Qeveria duhet të hapë vende pune për qytetarët konsumatorë duke e zbatuar Projekt Idenë: “Gjenerimi i qëndrueshëm i punësimit”,  e prezantuar vite më parë para Ministrisë së punës – për hapjen e vendeve të punës me kosto minimale; Qytetari konsumator të varfër Qeveria duhet t i ndihmojë duke e zbatuar modelin Franko-Gjerman’’, përfundon Kacaniku.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.