KORREKT / SOT17 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Fluturon si tullumbace, mbahet si fshesë elektrike – si funksionon vetura “fluturuese” e Teslës?

Fluturon si tullumbace, mbahet si fshesë elektrike – si funksionon vetura “fluturuese” e Teslës?

Kompania Tesla prezantoi të enjten në Teksas veturën e re sportive Roadster, të cilën Elon Musk e quajti “veturë fluturuese”.

Në pamjet e publikuara, vetura shihet duke lëvizur përmbys në një rampë të lakuar, duke u rrotulluar në ajër dhe duke u ulur sërish mbi rrota.

Pas këtyre demonstrimeve qëndron një parim relativisht i thjeshtë, por forca me të cilën automjeti shtyn ajrin mund të jetë e rrezikshme për njerëzit që ndodhen pranë tij, shkruan cnn.

Në një demonstrim tjetër, vetura kapërceu një varg automjetesh të parkuara. Pamjet ngjasojnë me skena nga filmat fantastiko-shkencorë, por teknologjia nuk mbështetet te krahët apo helikat, por te një parim që shumica e njerëzve e njohin që nga fëmijëria.

Parimi i tullumbaces

Kur fryhet një tullumbace dhe më pas lirohet, ajri del në njërin drejtim, ndërsa tullumbacja lëviz në drejtimin e kundërt. Vetura e Teslës funksionon sipas të njëjtit parim, por me fuqi shumë më të madhe.

Në automjet janë vendosur rezervuarë të posaçëm, ku ajri ruhet nën presion shumë të lartë. Kur ky ajër lirohet papritur përmes hapjeve të vogla, të quajtura shtytës, vetura shtyhet fuqishëm në drejtimin e kundërt.

Sipas raportimeve, rreth dhjetë hapje të tilla janë të vendosura në pjesë të ndryshme të automjetit. Duke e lëshuar ajrin nëpërmjet tyre, vetura mund të ngrihet, të rrotullohet në ajër ose të drejtohet përpara uljes.

– YouTube www.youtube.com

Gjatë këtij procesi nuk ndodh djegie, prandaj këta mekanizma quhen “shtytës të ftohtë”. Teknologjia është zhvilluar nga SpaceX, kompania e raketave e Elon Muskut, e cila përdor mekanizma të ngjashëm për të ndihmuar pjesët e raketave të kthehen në mënyrë të sigurt në Tokë.

Për funksionimin e tyre nevojitet një sasi e madhe ajri, ndaj rezervuarët vendosen në çdo hapësirë të lirë të veturës. Në versionin më të fuqishëm, ata zënë edhe vendin e pasagjerit, duke e bërë automjetin njëvendësh.

Si qëndron vetura përmbys?

Për lëvizjen përmbys përdoret një sistem tjetër. Ventilatorët e vendosur nën veturë thithin ajrin dhe e mbajnë automjetin të ngjitur me sipërfaqen, ngjashëm me mënyrën se si një fshesë elektrike mund të ngjitet në pëllëmbën e dorës.

Falë këtij sistemi, vetura mund të ngjitet në një rampë të lakuar dhe të lëvizë mbi të me pjesën e sipërme të kthyer nga poshtë, pa rënë.

Kërcim, jo fluturim

Është e rëndësishme të kuptohet se çfarë u demonstrua në të vërtetë. Vetura nuk fluturoi si një aeroplan, por realizoi kërcime të shkurtra dhe rrotullime në ajër.

Edhe pas demonstrimit, mbetet e paqartë nëse automjeti mund të fluturojë vërtet apo vetëm të kryejë kërcime të tilla.

Sipas vlerësimeve, ajri i ruajtur në rezervuarë mjafton për kërcimin dhe uljen, por jo për të kapërcyer trafikun e një qyteti. Musk ka thënë se vetura i rimbush vetë rezervuarët me ajër, por nuk dihet se sa kohë zgjat ky proces.

Gjatë demonstrimit nuk kishte shofer brenda veturës, pasi ajo kontrollohej automatikisht. Gjithashtu, spektatorët ishin mbajtur në një distancë të konsiderueshme.

Për çfarë shërben kjo veturë?

Tesla ka paralajmëruar tri versione të Roadsterit. Versioni bazë është projektuar për lëvizje në rrugë. Ai ka sistemin që e mban automjetin të ngjitur me sipërfaqen, por nuk është i pajisur me shtytës.

Versioni Thrust është menduar për pista garash dhe ka shtytës në pjesën e pasme, të cilët mundësojnë përshpejtim jashtëzakonisht të shpejtë. Sipas kompanisë, vetura mund të arrijë shpejtësinë prej 96 kilometrash në orë për më pak se një sekondë.

Ndërkaq, versioni Rocket është i vetmi që mund të kryejë këto lëvizje në ajër dhe do të ofrohet vetëm me porosi. Në faqen e Teslës thuhet se ky version nuk është i miratuar për qarkullim në rrugë publike.

Për këtë arsye, të paktën për momentin, Roadster-i “fluturues” është më shumë një atraksion dhe demonstrim i mundësive që krijohen nga bashkimi i teknologjisë automobilistike me atë të raketave.

Pse është e rrezikshme të qëndrosh pas saj?

Arsyeja kryesore është siguria. Sipas të dhënave të publikuara, katër shtytësit e pasmë së bashku krijojnë një forcë të krahasueshme me goditjen e një ngarkese prej nëntë tonësh.

Një forcë e tillë mund të shkaktojë lëndime të rënda te personat që ndodhen pas veturës ose të shkatërrojë automjetin që qëndron pas saj në semafor.

Ajri del me shpejtësi më të madhe se ajo e zërit. Kjo do të thotë se edhe një gur i vogël nga rruga mund të hidhet me shpejtësi të krahasueshme me atë të një plumbi.

Edhe vetë Musk ka pranuar se kjo nuk është domosdoshmërisht një veturë e projektuar për siguri.

Gjithashtu, nuk është e qartë se cili institucion do të ishte përgjegjës për miratimin e një automjeti të tillë. Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Transportit ka pranuar se për këtë çështje nuk ka ende një përgjigje të qartë.

Prodhimi i Roadster-it është paralajmëruar për vitin 2028, ndërsa çmimi ende nuk është bërë i ditur. Modeli u prezantua për herë të parë në vitin 2017, por Elon Musk i ka shtyrë disa herë afatet e mëparshme për këtë veturë. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.