Një person është arrestuar në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se duke u prezantuar si toger i Policisë së Kosovës, i ka marrë 450 euro një gruaje, me arsyetimin se paratë nevojiteshin për blerjen e peletit.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 16 tetor, ndërsa ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë.
Viktima, një grua kosovare, ka deklaruar se i dyshuari e kishte kontaktuar përmes telefonit dhe, duke u prezantuar si zyrtar policor me gradën e togerit, i kishte kërkuar që t’ia jepte një personi tjetër shumën prej 450 eurosh.
Gruaja, duke rënë në lajthitje, ia kishte dhënë paratë të dyshuarit, i cili më pas ishte larguar në drejtim të panjohur me një veturë.
Sipas Policisë, vetura ishte marrë me qira disa ditë më parë në Gjilan nga një qytetar kosovar, të cilit i dyshuari nuk ia kishte kthyer atë.
Njësitet policore kanë arritur ta identifikojnë, ndalojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, së bashku me veturën që dyshohet se po e keqpërdorte.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
"Rr. Dardania, Fushë Kosovë 15.10.2026-15:55. Me 16.10.2026 viktima femër kosovare, ka raportuar se, i dyshuari mashkull kosovar, përmes telefonit duke u prezantuar si zyrtar-toger i policisë ka kërkuar nga viktima që t’i jap një personi tjetër një shumë parash prej 450€ sipas tij për blerje të peletit. Viktima duke rënë në lajthitje i ka dhënë këtë shumë parsh të dyshuarit, i cili pastaj ishte larguar në drejtim të panjohur me veturën të cilën e kishte marrë me qira ditë më parë në Gjilan nga ankuesi mashkull kosovar dhe nuk ia kishte kthyer veturën ankuesit. Njësitet policore e kanë identifikuar, ndaluar dhe arrestuar të dyshuarin bashkë me veturën të cilën ishte duke e keqpërdorur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje".

