Hansi Flick nuk dëshiron të ankohet për kalendarin e ngjeshur të Barcelonës, pavarësisht se skuadra e tij e pret një periudhë shumë e vështirë, me tri ndeshje ndaj Betisit, PSG-së dhe Real Madridit brenda vetëm tetë ditësh.
Trajneri gjerman u distancua kështu nga ankesat e José Mourinhos për kohën e shkurtër të pushimit mes ndeshjeve, duke theksuar se Barcelona duhet ta pranojë situatën dhe të përqendrohet te paraqitjet në fushë.
“Jemi në këtë situatë çdo sezon. E di se në vendet e tjera është ndryshe, por për ne kjo është ajo që kemi. Në dy sezonet e fundit kemi pasur shumë situata kur kemi pyetur veten: ‘Çfarë është kjo?’”, deklaroi Flick.
Ai kujtoi edhe rastin kur Barcelona u detyrua të kthehej me autobus nga Valencia, pasi fluturimi ishte anuluar, dhe vetëm dy ditë më vonë duhej të luante ndeshjen e radhës.
“Ajo që u them lojtarëve është se nuk ka justifikime. Kjo është situata dhe ajo që mund të bëjmë është të shohim se si luajmë. Kam 100 për qind besim te ekipi im”, theksoi trajneri gjerman.
Flick u shpreh i kënaqur me cilësinë që po tregojnë futbollistët e tij dhe beson se Barcelona ka ende hapësirë për përmirësim.
“Cilësia që kemi aktualisht është e jashtëzakonshme. Cilësia që po tregojnë të gjithë është ajo që dua të shoh dhe kjo është mënyra se si duam të luajmë futboll. Kemi potencial për t'u përmirësuar edhe më shumë dhe mund ta bëjmë këtë. Nuk mund ta ndryshojmë situatën, duhet ta pranojmë”, shtoi ai.
Flick e vlerëson lart Betisin
Përpara përballjeve me PSG-në dhe Real Madridin, Flick insistoi se prioriteti i Barcelonës është ndeshja e radhës ndaj Betisit.
“Gjëja më e rëndësishme është ta fitojmë ndeshjen e nesërme ndaj Betisit. Ata kanë shumë vetëbesim, sepse i kanë fituar të gjitha ndeshjet në shtëpi. Edhe në Ligën e Kampionëve kanë rezultate shumë të mira”, deklaroi ai.
Trajneri i Barcelonës e cilësoi Betisin një kundërshtar të shkëlqyer, veçanërisht në fazën sulmuese dhe në duelet një kundër një.
“Duhet të mbrohemi shumë mirë. Është një nga skuadrat më të mira dhe është e jashtëzakonshme se sa shumë është përmirësuar gjatë vitit të fundit. Manuel Pellegrini ka bërë një punë fantastike”, përfundoi Flick. /Zëri

