KORREKT / SOT18 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Shëndet

Fistikët, sekreti i mundshëm për një gjumë më të mirë

Fistikët, sekreti i mundshëm për një gjumë më të mirë

Një përmbledhje e re shkencore ka shqyrtuar nëse fistikët mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjumit, por deri tani nuk ka prova të mjaftueshme për të konfirmuar këtë efekt.

Fistikët përmbajnë triptofan, një aminoacid thelbësor që merr pjesë në prodhimin e serotoninës dhe melatoninës. Serotonina është një neurotransmetues, ndërsa melatonina është hormon që ndihmon në rregullimin e ciklit gjumë-zgjim.Përmbledhja, e publikuar në shtator në revistën “Nutrition Research Reviews”, shqyrtoi mundësinë që triptofani, fitomelatonina dhe përbërës të tjerë të fistikëve të ndikojnë në proceset biologjike që lidhen me gjumin. Studimi u financua nga organizata “American Pistachio Growers” dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA (NIH).

Sipas studiuesve, një porcion prej 28,3 gramësh me fistikë përmban rreth 71 miligramë triptofan. Fistikët përmbajnë gjithashtu magnez dhe vitaminë B6, të cilat ndihmojnë në proceset që mundësojnë prodhimin e serotoninës dhe melatoninës, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.

Megjithatë, nuk dihet nëse këto sasi janë të mjaftueshme për të sjellë përmirësime të dukshme në cilësinë e gjumit. Për më tepër, fistikët nuk janë burim veçanërisht i përqendruar i triptofanit, krahasuar me ushqime të tilla si vezët, mishi i gjelit të detit dhe farat e kungullit.

Studiuesit shqyrtuan edhe përmbajtjen e fitomelatoninës, një formë e melatoninës që gjendet te bimët. Sipas përmbledhjes, sasia e saj në një porcion fistikësh mund të variojë nga 0,074 deri në 18,7 mikrogramë. Kjo ndryshueshmëri e bën të vështirë përcaktimin nëse fistikët mund të ndikojnë në gjumë.

Gjithashtu, nuk është përcaktuar se sa fistikë duhet të konsumohen, sa shpesh apo në cilën orë të ditës për të përfituar nga ndonjë efekt i mundshëm. Nuk ka prova që ngrënia e tyre para gjumit sjell të njëjtin efekt si marrja e suplementeve të melatoninës.

Studiuesit theksojnë se nevojiten prova klinike të kontrolluara dhe të randomizuara te njerëzit për të vlerësuar nëse fistikët mund të përmirësojnë cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit ose të ndikojnë në nivelet e melatoninës.

Deri atëherë, fistikët mund të jenë pjesë e një ushqyerjeje të ekuilibruar që mbështet shëndetin e përgjithshëm, por nuk ka prova të mjaftueshme për t’i rekomanduar si trajtim specifik për pagjumësinë ose cilësinë e dobët të gjumit. Personat që kanë vazhdimisht probleme me gjumin mund të konsultohen me një profesionist shëndetësor për të identifikuar shkaqet dhe për të gjetur mënyrat e përshtatshme të trajtimit. /Gazeta Shneta

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.