Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se institucionet përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë janë gjobitur, pas inspektimit të kryer nga inspektorati i ministrisë.
Pacolli ka deklaruar se gjatë inspektimit është konstatuar një gjendje e rëndë me mbeturina, e cila, sipas saj, po rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve, raporton lajmi.net
Ajo ka kritikuar menaxhimin e situatës nga Komuna e Prishtinës dhe ndërmarrja publike përgjegjëse, duke thënë se hedhja e fajit nga njëra palë te tjetra nuk e zgjidh problemin.
Psotimi i plotë:
Gjobiten institucionet përgjegjëse për kaosin me mbeturina në Prishtinë!
Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka inspektuar situatën në Prishtinë dhe ka konstatuar një gjendje të rëndë, e cila po rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e popullatës. Për këtë katastrofë mjedisore, janë shqiptuar gjoba ndaj institucioneve përgjegjëse.
Menaxhimi i mbeturinave është detyrimi më bazik që një qeverisje lokale duhet ta zgjidhë.
Hedhja e fajit ping-pong mes Komunës dhe ndërmarrjes publike është thjesht një tentativë për të fshehur paaftësinë.
Nëse Kryetari Përparim Rama dhe i gjithë zinxhiri i tij menaxhues dështojnë në këtë detyrë kaq elementare, atëherë qytetarët me të drejtë pyesin se cili është funksioni i këtij pushteti.
Neglizhenca nuk mund të normalizohet. Kushdo që nuk i kryen detyrat dhe i lë qytetarët të përballen me këtë rrezik, duhet të mbajë përgjegjësi të plotë, pa pasur mundësi t’i shmanget asaj duke e pasuar fajin te tjetri.
Ligji do të zbatohet, ndërsa dështimi do t’u faturohet të gjithë atyre, pa dallim, që po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve./Lajmi.net/

