Prodhuesi finlandez i makinerive bujqësore, Valtra, ka dërguar traktorin e tij në pistën e Formula 1 për të dëshmuar aftësitë e tij në shpejtësi.
Bëhet fjalë për traktorin e gjeneratës së gjashtë të serisë T, i cili përshkoi një xhiro në pistën austriake Red Bull Ring për 3 minuta e 36.4 sekonda, duke arritur shpejtësinë prej 87 kilometrash në orë në drejtëzën kryesore.
Sipas kompanisë Valtra, shpejtësia e arritur është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga ekipi Red Bull Racing. Kjo provë e shndërroi makinerinë bujqësore në yll të papritur të pistës së garave për të paktën një ditë.
Traktori përshkoi konfigurimin e pistës me gjatësi prej 4.35 kilometrash, e cila përdoret nga makinat e Formula 1, motoçikletat e kampionatit MotoGP dhe veturat garuese të kategorisë GT3.
Modeli i ri T236 fuqizohet nga motori me naftë AGCO Power CORE75, me gjashtë cilindra dhe vëllim prej 7.5 litrash. Motori zhvillon 248 kuaj/fuqi dhe 1.184 Nm çift rrotullues, duke e bërë këtë version më të fuqishmin e gjeneratës së gjashtë të serisë T, e cila përfshin modele me fuqi nga 172 deri në 248 kuajfuqi.
Klientët mund t’i porosisin këta traktorë që nga 1 tetori, ndërsa dërgesat e para pritet të bëhen para fundit të vitit 2026.
– YouTube www.youtube.com
Prova u filmua nga kompania Valtra në bashkëpunim me prodhuesin e gomave Nokian Tyres. Në pamje shihet edhe matësi i radarit që konfirmon shpejtësinë maksimale të arritur nga traktori teksa kalon vijën e finishit.
Valtra shpjegoi se traktori i serisë T, i përdorur në pistën Red Bull Ring, ishte përgatitur posaçërisht për këtë provë, me konfigurime të përshtatura për lëvizje me shpejtësi të lartë në një pistë të mbyllur dhe të asfaltuar.
Kjo xhiro shërbeu për të dëshmuar potencialin e sistemit të tij të fuqisë në kushte të kontrolluara.
Shpejtësia maksimale prej 87 kilometrash në orë u arrit në drejtëzën kryesore të pistës, e cila mundëson përshpejtim të vazhdueshëm. Për krahasim, versionet e homologuara për qarkullim rrugor të traktorëve Valtra arrijnë shpejtësi maksimale prej rreth 56 kilometrash në orë, në varësi të modelit dhe homologimit rajonal.
Rezultati në Red Bull Ring është arritur falë një prove të përgatitur posaçërisht dhe konfigurimeve të ndryshuara. Kjo nuk është një shpejtësi që klientët mund ta kërkojnë si konfigurim standard apo ta përdorin ligjërisht jashtë një piste të mbyllur.
Kompania Valtra e plotësoi këtë demonstrim me një provë më praktike në fushë, ku traktori i gjeneratës së gjashtë të serisë T tërhoqi një mbjellëse Väderstad Tempo me 12 rreshta.
Gjatë kësaj prove, traktori arriti shpejtësinë prej 40 kilometrash në orë, duke ruajtur saktësinë e mbjelljes mbi 95 për qind. /Telegrafi/

