KORREKT / SOT16 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Marigonë Kelmendi: Ka zëra që nuk kthehen, por as nuk ikin

Marigonë Kelmendi: Ka zëra që nuk kthehen, por as nuk ikin

Nga “Rimat e qiellit” te “Kur loti nuk mjafton”, një rrëfim për dashurinë që i mbijeton mungesës, për babanë që vazhdon të jetojë në kujtesën e së bijës, për atdheun e bartur në shpirt dhe për poezinë që i kundërvihet harresës

Përtej çdo fjalori jetojnë fjalë, kuptimin e të cilave e dinë vetëm dy njerëz. Janë fjalë të lindura nga dashuria, të rritura mes përkëdheljesh, që mbeten të gjalla edhe kur njëri prej zërave hesht përgjithmonë. “Babilum” dhe “Golumja” janë dy fjalë të tilla. Dy emra të vegjël për një dashuri të pamatshme. Një gjuhë e fshehtë mes babait dhe së bijës, të cilën as largësia më e pamëshirshme nuk ka mundur ta fshijë.

Në poezinë e Marigonës, kujtesa nuk është një derë që hapet vetëm për të parë pas. Është një hapësirë ku të munguarit vazhdojnë të kenë zë, ku fëmijëria nuk plaket dhe ku malli merr trajtën e një bisede që nuk përfundon kurrë. Babai mbetet aty, jo vetëm si kujtim, por si prani e padukshme në çdo fjalë që përpiqet t’i japë kuptim mungesës.

Mes dy librave shtrihet një udhëtim përmes atdheut, mallit, vetmisë dhe dashurive të pathëna. Marigona Kelmendi nuk shkruan për ta zbukuruar dhimbjen, por për të shpëtuar nga harresa atë që zemra nuk pranon ta humbasë.

Sepse ndonjëherë nuk është fytyra ajo që kemi frikë se do ta harrojmë, por zëri. Ai zë i papërsëritshëm që dikur na thërriste me një emër që askush tjetër nuk dinte ta shqiptonte njësoj.

Njeriu mund të largohet nga jeta jonë, por jo nga biseda jonë me të.

Në këtë rrëfim, Marigonë Kelmendi na çon atje ku loti nuk mjafton më dhe fjala merr përsipër të ruajë atë që koha nuk mund ta kthejë.

Mes qiellit dhe lotit, një shpirt që shkruan dashurinë

“Rimat e qiellit” dhe “Kur loti nuk mjafton” tashmë kanë dalë nga intimiteti i dorëshkrimit dhe kanë nisur jetën e tyre te lexuesi. A ju duken si dy libra të së njëjtës Marigonë Kelmendi, apo si dy gjendje të ndryshme poetike që tashmë edhe ju po i shihni nga një distancë e re?

Besoj se është e njëjta Marigonë, ndonëse mes dy librave ka një distancë kohore dhe tematike. Koha na ndryshon, na pjek dhe na çon drejt përjetimeve të reja, por në thelb mbetemi po ata që jemi. Të dy librat mbajnë brenda vetes diçka timen, një pjesë të shpirtit tim në dy periudha të ndryshme të jetës. Ndoshta kanë ndryshuar mënyra e të shprehurit dhe theksi i ndjenjave, por jo ajo që më shtyn të shkruaj.

Vetë titujt krijojnë një kontrast të bukur: “Rimat e qiellit” e ngre vështrimin drejt së përtejmes, ndërsa “Kur loti nuk mjafton” na kthen te një dhimbje thellësisht njerëzore dhe intime. Ku takohen më së forti këto dy botë brenda jush si krijuese?

Të dyja botët takohen te pafundësia e dashurisë. Dashuria ka shumë trajta: herë është qiell, herë dhimbje, herë mall, herë një prani që nuk shuhet as kur gjithçka tjetër mungon. Besoj se, pavarësisht temave që trajtoj, në thelb unë gjithmonë shkruaj për dashurinë dhe për atë që ajo lë pas në shpirtin e njeriut. Ajo është fillimi dhe vazhdimësia e shumëçkaje që më frymëzon.

Në “Zeniti im”, atdheu nuk shfaqet si gjeografi, por si masë drite: “pak diell atdheu”, ndërsa ëndrra strehohet në një “ishull shpëtimi” dhe njeriu përkundet “në djepin e gjithësisë”. A është ky zenit pika më e lartë e pajtimit me veten, apo ai horizont që largohet sa herë besojmë se i jemi afruar? Dhe çfarë mbetet prej atdheut, kur ai pushon së qeni vend për t’u kthyer dhe bëhet dritë e pashuar brenda njeriut?

Mendoj se zenitit nuk i afrohemi kurrë plotësisht, edhe pse ai mbetet pikë referimi në rrugëtimin tonë. Gjithmonë ka diçka për të kërkuar, për të mësuar e për të arritur. Ndoshta pikërisht kjo e bën jetën të bukur: fakti që rruga nuk përfundon aty ku mendojmë se kemi mbërritur.

Sa i përket atdheut, ai mbetet gjithmonë atdhe. Nuk e kemi zgjedhur, ashtu siç nuk mund ta zgjedhim ta harrojmë. Ai është pjesë e qenies sonë, e kujtesës, e gjuhës dhe e identitetit. Edhe kur largohemi fizikisht, diçka e tij vazhdon të jetojë brenda nesh. Ndoshta atdheu bëhet edhe më i dukshëm atëherë kur nuk e kemi pranë.

Në vargjet tuaja rikthehen drita, shiu, mjegulla, rruga, qielli, qyteti, malli dhe heshtja, si një topografi e brendshme ku ndjenja fiton trup, aromë e temperaturë. A i ndërtoni me vetëdije këto motive, apo ato ju vijnë vetvetiu, si gjurmë të një bote që kërkon të bëhet e dukshme përmes vargut?

Motivet që përsëriten në poezinë time janë pjesë e imja, ashtu siç më vijnë, pa i kërkuar me ngulm. Metaforat nuk i zgjedh paraprakisht dhe nuk përpiqem t’i imponoj në varg; ato vijnë natyrshëm, në rrjedhën e krijimit.

Shpesh poezia më ngjan me qëndisjen. Nuk e di gjithmonë se cila figurë do të vijë më pas, por e ndjek fillin ashtu siç më shfaqet, duke i dhënë secilës pjesë vendin e vet. Në fund, krijohet një tërësi që, ndoshta, as vetë nuk e kam parashikuar në fillim. Kështu e përjetoj unë poezinë: si diçka që nuk ndërtohet e gjitha paraprakisht, por zbulohet gjatë rrugës.

Kur kujtimi bëhet më i fortë se mungesa

“Kur loti nuk mjafton” lidhet fuqishëm me figurën e babait, i cili në vargjet tuaja nuk mbetet vetëm prind, por bëhet kujtesë, këshillë, pikë orientimi dhe prani shpirtërore. Kur një mungesë kaq personale hyn në poezi, në ç’çast pushon së qeni vetëm juaja dhe bëhet e njohshme edhe për dikë që nuk e njeh historinë tuaj? Dhe a ka qenë shkrimi një mënyrë për ta përballuar mungesën apo për ta mbajtur praninë e tij përtej kohës?

Në fillim, shkrimi ishte terapia ime e vetme. Ishte mënyra për ta përballuar dhimbjen dhe për t’i dhënë një formë asaj që nuk dija si ta shprehja ndryshe. Me kalimin e kohës, marrëdhënia ime me shkrimin ndryshoi. Fillova ta ndieja babanë si një bashkëbisedues të heshtur, dikë të cilit ende mund t’i flas, dhe këto biseda të brendshme u bënë frymëzim për të shkruar për shumë prej përjetimeve që kemi ndarë bashkë.

Prania e tij vazhdon të jetë pjesë e imja. Për mua, figura e babait nuk vdes kurrë. Ajo jeton në kujtime, në fjalët e tij, në mënyrën si e shoh jetën dhe në gjithçka që ai ka lënë brenda meje. Në këtë kuptim, poezia nuk ma kthen praninë e tij fizikisht, por më jep mundësinë ta mbaj gjallë lidhjen tonë përtej kohës.

“Ta dish veç zërin kam mall ta kujtoj…” – këtu kujtesa nuk është thjesht rikthim, por një prani e munguar që vazhdon të jetojë në zërin e së bijës. Në ç’çast një fjalë e prindit pushon së qeni kujtim dhe bëhet pjesë e zërit tonë të brendshëm? Dhe kur shkruani “Babilumi im / Golumja jote”, a bëhet poezia ajo strehë e rrallë ku mosha zhbëhet dhe njeriu kthehet sërish fëmijë përballë të munguarit?

Zëri ka shumë rëndësi për mua, sepse besoj se ai përfaqëson shpirtin, karakterin, pjekurinë dhe mënyrën si një njeri i drejtohet botës. Zëri i secilit është i veçantë dhe nuk mund të ngatërrohet plotësisht me asnjë tjetër. Zëri i babait tim kishte një bukuri të veçantë për mua, sidomos kur më thërriste me atë dashuri të madhe që vetëm ai dinte të ma falte.

Mendoj se kemi nevojë të ndihemi fëmijë edhe kur rritemi. Në atë ndjenjë ka një lloj mburoje ndaj kohës, ndaj njerëzve dhe ndaj goditjeve që na sjell jeta. Përballë prindit që duam, mbetemi gjithmonë pak fëmijë.

Unë e kam thirrur babanë tim “Babilum” kur kam qenë shumë e gëzuar, ndërsa ai më thërriste “Golumja” si emër përkëdhelës, veçanërisht kur ishte i lumtur për mua. Këto fjalë janë shumë më tepër se emra të dashur: janë një botë e jona, një mënyrë e veçantë e të kuptuarit të njëri-tjetrit. Në poezi, kjo botë mbetet e paprekur. Aty mund të kthehem sërish në fëmijën e tij, ndërsa ai mbetet babai im, përtej moshës dhe kohës.

Titulli “Kur loti nuk mjafton” sugjeron një çast kur edhe mënyra më e natyrshme e shprehjes së dhimbjes bëhet e pamjaftueshme. Çfarë mund të bëjë fjala poetike pikërisht aty ku nuk mjafton më as loti?

Titulli “Kur loti nuk mjafton” lindi nga një ide e botuesit, gjatë leximit të poezive të mia. Më pas, gjatë punës për librin, kuptova se ai shprehte shumë nga ajo që dëshiroja të bëja për babanë tim: të shprehja diçka që dhimbja e vetme nuk mund ta përmbante, të lija një gjurmë të dashurisë sonë dhe ta mbaja të gjallë lidhjen mes nesh.

Sot, lotin e ndiej edhe si forcë. Nuk është se dhimbja zhduket, por mëson të marrë forma të tjera. Fjala poetike më ka dhënë mundësinë të bëj diçka me atë dhimbje, ta kthej në kujtesë, në dashuri dhe në një prani që mund të lexohet edhe nga të tjerët.

Për mua, “Babilumi” dhe “Golumja” janë dy botë që nuk ndahen kurrë, të paktën jo në zemër. Dhe ndoshta pikërisht aty ku loti nuk mjafton, poezia e gjen arsyen e saj për të ekzistuar.

Ajo që ishte vetëm e saj, u bë e të gjithëve

Kur një libër kaq intim del nga duart e autorit, ai nis t’u përkasë edhe të tjerëve. Si kanë qenë reagimet e para ndaj “Kur loti nuk mjafton”? A ju ka befasuar ndonjë emocion apo kuptim që dikush ka zbuluar në të dhe që ndoshta as ju vetë nuk e kishit menduar gjatë shkrimit?

Të them të drejtën, kam pasur hezitime për ta botuar librin. Edhe pse më parë kisha publikuar disa poezi kushtuar babait, ta përmblidhja këtë pjesë kaq intime të jetës sime në një libër ishte diçka tjetër.

U habita nga mënyra si u prit. Lexuesit njohën një Marigonë tjetër, Marigonën e babait, dhe kjo më bëri t’i shihja ndryshe edhe dilemat që kisha pasur. Shumë prej tyre e gjetën veten në poezi, edhe pse historitë tona nuk ishin të njëjta. Mora vlerësime pozitive dhe kuptova se ky libër kishte gjetur një rrugë drejt zemrave të njerëzve.

Disa menduan se ende vuaja shumë, por unë e ndieja se e kisha kaluar lotin, në kuptimin që kisha gjetur një mënyrë tjetër për ta jetuar dhimbjen. Sot mendoj se botimi ishte vendimi i duhur, sepse ajo që fillimisht ishte vetëm imja u bë një ndjenjë e përbashkët me shumë lexues.

Në krijimtarinë tuaj të hershme, Peja, vendlindja dhe hapësira shqiptare janë fort të pranishme, ndërsa në poezitë më të reja udhëtimi duket gjithnjë e më shumë i brendshëm. A e ndieni edhe ju këtë zhvendosje të botës suaj poetike, nga peizazhi i jashtëm drejt një gjeografie më të heshtur të qenies?

Po, e ndiej. Ka kaluar më shumë se një dekadë dhe, natyrisht, Marigona ka ndryshuar. Me kalimin e kohës ndryshojnë përjetimet, këndvështrimet dhe mënyra si e shohim botën. Edhe poezia ecën bashkë me ne.

Besoj se ndryshimi është i domosdoshëm, sepse na mban gjallë dhe na bën kërkues, para së gjithash ndaj vetes. Ndoshta dikur më fliste më shumë ajo që shihja përreth, ndërsa sot më tërheq gjithnjë e më tepër ajo që ndodh brenda meje. Por nuk mendoj se njëra e përjashton tjetrën. Peizazhi i jashtëm vazhdon të ekzistojë; thjesht, me kalimin e kohës, njeriu fillon ta lexojë edhe përmes vetes.

Te cikli “Gulçe përditshmërie”, qyteti nuk është thjesht sfond: ai merr zë, laget nga shiu, mbushet me fytyra, errësirë, pritje e vetmi. A ju tërheq te qyteti pikërisht ajo përzierje mes ftohtësisë së tij dhe intimitetit të fshehtë që lind mes njerëzve, ajo jetë e padukshme që zhvillohet nën zhurmën e përditshmërisë?

Kam jetuar disa vite në Prishtinë e më pas në Gjermani, ndaj besoj se e kam përjetuar nga afër atë ftohtësi që nganjëherë të fal qyteti. Por, me kalimin e kohës, kam filluar ta ndiej këtë ftohtësi jo vetëm në hapësirat urbane, por edhe te njerëzit.

Qyteti është një vend ku ka shumë jetë, zëra e fytyra, por ku njeriu mund të ndihet njëkohësisht shumë i vetëm. Më tërheq pikërisht kjo përzierje: afërsia fizike dhe largësia shpirtërore, zhurma e përditshmërisë dhe heshtja që secili mbart brenda vetes. Ndoshta poezia përpiqet të depërtojë pikërisht aty ku syri nuk arrin të shohë, te ajo jetë e padukshme që zhvillohet përtej asaj që duket.

Malli, mënyra më e bukur për t’iu kundërvënë harresës

Malli është një nga fijet që përshkon shumë prej shkrimeve tuaja. Për ju, a është ai vetëm shenjë e mungesës apo edhe një mënyrë për t’iu kundërvënë kohës, një përpjekje për të shpëtuar nga harresa atë që rrezikon të humbasë?

Për mua, malli është edhe një mënyrë për t’i shpëtuar harresës. Nuk më pëlqen të harroj, sepse harresa nganjëherë më duket sikur e vë në dyshim vetë praninë tonë në një përjetim. Nëse harrojmë gjithçka, çfarë mbetet nga ajo që kemi qenë dhe nga ajo që kemi jetuar?

Besoj se është e rëndësishme ta dimë ku kemi qenë, pse kemi qenë aty dhe çfarë na ka formuar. Malli nuk është vetëm dhimbje për atë që mungon; është edhe dëshmi se diçka ka pasur vlerë, se një njeri, një vend apo një çast ka lënë gjurmë në ne. Në këtë kuptim, malli bëhet një mënyrë për ta ruajtur të kaluarën pa pushuar së jetuari të tashmen.

Vargu juaj hyn herë pas here në bisedë me traditën letrare e kulturore, nga referencat klasike te figurat e trashëgimisë shqiptare. Si mund ta mbajë një autor bashkëkohor këtë lidhje të gjallë, pa mbetur peng i së kaluarës dhe pa e kthyer trashëgiminë në ornament?

Për mua, këto lidhje janë pjesë e qenies sonë. Si mund të largohem nga ato që më kanë bërë kjo që jam? Ne jemi të lidhur me tokën, historinë dhe gjuhën tonë, dhe kjo trashëgimi nuk është diçka që e marrim vetëm kur vendosim ta përdorim në krijimtari; ajo është pjesë e mënyrës si mendojmë, ndiejmë dhe shprehemi.

Megjithatë, të jesh i lidhur me të kaluarën nuk do të thotë të mbetesh peng i saj. Përkundrazi, mendoj se duhet të ecim me kohën dhe ta lejojmë trashëgiminë të bashkëbisedojë me të tashmen. Ajo nuk duhet të mbetet një ornament në poezi, por një rrënjë prej së cilës mund të rritet diçka e re. Nuk kemi pse të zgjedhim mes traditës dhe bashkëkohësisë; mund t’i mbajmë të dyja gjallë.

Gjuha poetike tek ju lëviz mes fjalës së kthjellët dhe figurës së ngjeshur. Si lind një poezi e Marigona Kelmendit: nga një imazh, një fjalë, një kujtim, një tronditje apo nga diçka që qëndron gjatë brenda jush derisa e gjen gjuhën e vet? Dhe kur ajo më në fund merr trajtë, a ju bind më shumë metafora që hapet menjëherë, apo ajo që ruan diçka për leximin e dytë?

Nuk kam një mënyrë të përcaktuar se si lind poezia ime. Nuk kam një destinacion të paracaktuar për frymëzimin dhe as një orar kur duhet të shkruaj. Nuk përdor diçka të jashtme për të nxitur krijimtarinë; mendoj se poezia është pasion dhe pjesë e mënyrës sime të të jetuarit. Unë jetoj me poezi, ashtu siç jetoj me leximin.

Sa i përket metaforës, më bind ajo që më vjen natyrshëm. Nuk e ndërtoj me detyrim dhe nuk përpiqem ta bëj vargun më të ndërlikuar sesa duhet. Kur një figurë lind brenda poezisë, ajo duhet të jetë aty sepse e ndiej të nevojshme, jo vetëm për të krijuar një efekt te lexuesi. Ndoshta pikërisht kjo natyrshmëri më bën t’i besoj vargut: ai duhet të më bindë mua së pari, përpara se të kërkojë të bindë dikë tjetër.

Kur u riktheheni sot poezive të fillimeve, sa e njihni veten në to? Çfarë ka ruajtur Marigona e sotme nga ajo vajzë që nisi të shkruante dhe çfarë ka kuptuar ndërkohë se duhej ta linte pas? A ka në ato vargje të hershme ndonjë parandjenjë të gruas dhe krijueses që do të bëheshit?

E kam ditur se nuk do të ndalesha së shkruari. Edhe në fillimet e mia, e ndieja se shkrimi do të ishte pjesë e pandashme e jetës sime. Sigurisht, rritja ka bërë të vetën dhe me kohën kam ndryshuar, por nuk i konsideroj të gabuar ato që kam shkruar dikur. Përkundrazi, gjithçka kishte bukurinë dhe të vërtetën e vet në atë kohë.

Ato poezi ishin hapat që më sollën deri këtu. Po të mos i kisha bërë, ndoshta nuk do të isha kjo që jam sot. Nuk mendoj se duhet ta mohojmë veten e dikurshme për të dëshmuar se jemi rritur. Ajo pjesë e jona meriton të pranohet, sepse ka qenë e nevojshme në rrugëtimin tonë.

Sot, vazhdoj të jem po ajo që e do poezinë dhe leximin, ndonëse me përvoja e kuptime të reja. Nuk e përfytyroj jetën time pa shkruar dhe, natyrisht, as pa lexuar. Të dyja janë pjesë e mënyrës sime të të qenit.

Sekretet që vetëm vargu di t’i mbajë

Vargu ndonjëherë arrin të thotë atë që njeriu nuk ia thotë dot dikujt përballë. A ka ndonjë poezi tuajën që ka lindur nga një afërsi, një dëshirë apo një ndjenjë aq intime, sa personi për të cilin është shkruar mund të mos e ketë kuptuar kurrë se ishte pikërisht ai brenda vargut?

Sigurisht që duhet të jetë diku! (qesh) Por po e lëmë ta kuptojë vetë, nëse i bie ndonjëherë ta lexojë. Ndonjëherë vargu mund të thotë shumë më tepër sesa guxojmë të themi drejtpërdrejt. E bukura e poezisë është se ajo mund të mbajë brenda vetes një sekret pa pasur nevojë ta zbulojë patjetër. Ndoshta disa ndjenja e kanë vendin e tyre pikërisht aty: mes vargut dhe atij që di ta lexojë.

Kujtesa ndonjëherë zgjohet përmes shqisave para se të bëhet mendim. A ka një varg tuajin që, sa herë e rilexoni, ju kthen te një zë, një aromë, një prekje, një afërsi që koha ende nuk ka mundur ta shuajë?

Të them të drejtën, nuk i ndaj vargjet e mia nga njëri-tjetri dhe nuk i veçoj disa prej tyre si më të rëndësishëm se të tjerët. E konsideroj krijimtarinë time si një tërësi dhe e ruaj me modesti. Nuk botoj dhe nuk shkruaj diçka që nuk më pëlqen apo që nuk e vlerësoj vetë.

Kur dëshiroj t’u rikthehem poezive, më pëlqen t’i recitoj. Pikërisht aty e gjej sërish përjetimin dhe e di saktësisht pse e kam shkruar secilën, çfarë e ka nxitur dhe çfarë kam dashur të ruaj në të. Ndoshta një poezi nuk është vetëm kujtimi i një çasti, por edhe mënyra se si ai çast vazhdon të jetojë brenda nesh. Dhe sa kohë që mund ta ndiej atë përjetim, vargu mbetet i gjallë.

Pasi këto dy botë poetike kanë zënë vendin e tyre te lexuesi, çfarë ka mbetur në bllokun tuaj të shënimeve? A po merr jetë një udhëtim i ri krijues, apo ende po e dëgjoni jehonën e këtyre dy librave para se të shkruhet faqja tjetër?

Unë as ndalem, as premtoj. Besoj se çdo gjë vjen në kohën e vet, me motivet dhe përjetimet që e kërkojnë. Nuk dua t’i vë krijimtarisë afate apo ta detyroj veten drejt një udhëtimi të caktuar.

Për sa kohë që vazhdoj ta ndiej poezinë si pjesë të jetës sime, besoj se do të ketë gjithmonë diçka për të shkruar. Se çfarë do të jetë faqja tjetër, do ta tregojë koha. Unë do të vazhdoj të jetoj, të lexoj, të përjetoj dhe të shkruaj, pa bërë premtime për atë që ende nuk ka ardhur. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.