Turqia planifikon të rrisë me 229 për qind fondet e ndara për blerjen e armëve, municioneve dhe sistemeve të armatimit në buxhetin për vitin 2027, ka bërë të ditur ministri turk i Thesarit dhe Financave, Mehmet Shimshek.
Ai e njoftoi këtë plan javën e kaluar në Forumin Ekonomik të Stambollit, duke theksuar se investimet në mbrojtje janë të domosdoshme në një mjedis ndërkombëtar të karakterizuar nga konflikte të armatosura.
Sipas portalit Clash Report, projektbuxheti parashikon rreth 45 miliardë dollarë për mbrojtjen dhe 26 miliardë dollarë shtesë për sigurinë e brendshme. Rritja prej 229 për qind lidhet me fondet për blerjen e armëve, municioneve dhe sistemeve të armatimit, e jo me të gjithë buxhetin e mbrojtjes.
Shimshek ka deklaruar gjithashtu se Turqia është ndër dhjetë eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë. Sipas tij, vlera e projekteve kërkimore dhe zhvillimore në sektorin e mbrojtjes tejkalon 100 miliardë dollarë, ndërsa janë duke u zhvilluar rreth 1.400 projekte për produkte të reja.
Të dhënat e cituara nga Clash Report tregojnë se eksportet e industrisë turke të mbrojtjes dhe hapësirës ajrore arritën në rreth 6.9 miliardë dollarë gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti. Në 12 muajt e fundit, ato e kanë kaluar vlerën prej 10 miliardë dollarësh.
Megjithatë, projektbuxheti ende duhet t’i paraqitet Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, e cila do të përcaktojë shumat përfundimtare. Detajet për financimin e programeve të veçanta të prokurimit ushtarak nuk janë bërë ende publike. /Telegrafi/

