Sabedin Çitaku, 71-vjeçar nga fshati Bajçinë i Podujevës, është pa energji elektrike që nga 3 qershori 2026, për shkak të një borxhi prej 1.637 eurosh e 49 centësh. Me pension prej vetëm 150 eurosh në muaj, ai thotë se nuk ka mundësi ta paguajë borxhin dhe t’i përmirësojë kushtet e jetesës.
Çitaku jeton me dy djemtë e tij në një shtëpi që ka nevojë për riparime. Ai tregon se për t’u ngrohur përdor drutë që i kanë mbetur nga viti i kaluar, ndërsa ujin e siguron nga bunari, raporton Kiks Kosova.
Sipas tij, ka punuar rreth 40 vjet në fabrikën e gypave, por dokumentet e pensionit dëshmojnë vetëm 4 vjet e 1 muaj stazh kontributiv. Kërkesa e tij për pension kontributpagues është refuzuar, ndërsa vendimin e ka kontestuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
KEDS-i ka konfirmuar se energjia elektrike i është ndërprerë për shkak të borxhit të akumuluar. Kompania ka bërë të ditur se Çitaku është larguar nga lista e rasteve sociale në gjysmën e vitit 2025, ndërsa i është ofruar mundësia për pagesën e borxhit me këste.
Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Podujevë, Lirie Hoti, ka deklaruar se Çitaku është vizituar disa herë dhe është ndihmuar me pako ushqimore. Sipas saj, ai është edhe në listën e pritjes për zgjidhje të banimit me donatorë.
Ndërkohë, më 6 tetor, Qeveria e Kosovës miratoi Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për vitet 2026–2027, për të cilin janë ndarë 15 milionë euro. Kriteret për përfituesit e rinj pritet të përcaktohen.
Rasti i Çitakut vjen në kohën kur të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2024 tregojnë se 42.2 për qind e familjeve nuk kanë mundësi të konsumojnë mish, pulë ose peshk çdo të dytën ditë, ndërsa 48 për qind nuk mund ta përballojnë një shpenzim të papritur prej 200 eurosh.
Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka deklaruar se në Kosovë ka familje që jetojnë me vetëm 1 euro e 83 centë në ditë, duke kërkuar që institucionet t’i identifikojnë më saktë familjet në nevojë dhe të ndërmarrin masa konkrete për t’i mbështetur.
Gjithçka mbi këtë temë mund të mësoni në kronikat në vijim, të përgatitura nga Kiks Kosova:
Ndiqeni emisionin e plotë:

