Një kuzhinier nga Finlanda ka hyrë në Librin e Rekordeve Guinness pasi arriti të pijë 500 mililitra pije të gazuar me shije portokalli për vetëm 3.16 sekonda.
Tomi Kotilainen, 26 vjeç, e realizoi këtë rekord më 13 qershor, në qytetin Järvenpää të Finlandës, para një grupi njerëzish që u mblodhën për të ndjekur sfidën.
Për këtë tentim, finlandezi zgjodhi pijen Jaffa, një markë vendase e pijeve të gazuara me shije portokalli, për të cilën tha se është pija më e mirë në botë.
Kotilainen është personi i parë që e mban këtë rekord, pasi sfida e Guinnessit kërkonte që 500 mililitra pije të konsumoheshin për më pak se pesë sekonda.
I pyetur se si ishte përgatitur për këtë sfidë, 26-vjeçari u përgjigj me humor se ishte stërvitur duke pirë.
Ai beson se mund ta përmirësojë edhe më shumë kohën e tij nëse provon sërish, ndërsa planifikon të sfidojë rekorde të tjera që lidhen me pirjen e pijeve.
Megjithatë, përpjekja e tij pati edhe një efekt anësor të pritshëm: pasi e piu pijen me shpejtësi të jashtëzakonshme, ai lëshoi një gromësimë të madhe. /Telegrafi/

