Blerja e një televizori është një investim afatgjatë për shumicën e përdoruesve, ndaj pritet që pajisja të funksionojë pa probleme për shumë vite. Dikur, shqetësimi kryesor i blerësve ishte funksionimi i ekranit dhe furnizimit me energji, por në epokën e televizorëve inteligjentë, rolin vendimtar e luan softueri.
Pa përditësime të rregullta të sistemit operativ, aplikacione si YouTube dhe Netflix mund të ndalojnë së funksionuari me kalimin e kohës, ndërsa televizori mbetet pa përditësime të sigurisë.
Në treg nuk ekziston një standard i vetëm që përcakton se për sa kohë prodhuesit duhet të ofrojnë përditësime. Përkundrazi, dallimet mes markave kryesore janë të konsiderueshme.
Samsung dhe Hisense ofrojnë mbështetjen më të gjatë softuerike
Kompania Samsung është ndër liderët për sa i përket mbështetjes afatgjatë. Për televizorët e prodhuar nga viti 2024 e tutje, si dhe për disa modele të përzgjedhura të vitit 2023, gjiganti koreano-jugor ofron shtatë vjet përditësime softuerike për sistemin operativ Tizen.
Në praktikë, kjo do të thotë se pronarët e modeleve të vitit 2024 mund të presin që aplikacionet të funksionojnë pa probleme dhe të marrin versione të reja të sistemit të paktën deri në vitin 2031.
Modelet më të vjetra nuk marrin versione të reja të sistemit, por vetëm përditësime të herëpashershme të sigurisë.
Një tjetër markë që ofron mbështetje afatgjatë është Hisense. Për modelet që përdorin sistemin operativ VIDAA OS, kompania ofron mbështetje deri në tetë vjet.
Megjithatë, kjo varet nga rajoni, pasi modelet për tregje të tjera mund të përdorin Google TV ose Roku, ku kohëzgjatja e mbështetjes përcaktohet nga palë të treta.
LG garanton katër vjet përditësime të sistemit
Kompania LG, përmes programit të saj webOS Re:New, garanton katër vjet përditësime të sistemit operativ për televizorët e prodhuar nga viti 2022.
Këto përditësime vijnë me një vit vonesë krahasuar me modelet më të reja. Për shembull, versioni webOS 26, i cili debuton në televizorët e vitit 2026, do të arrijë te modelet e vitit paraprak një vit më vonë.
Në këtë mënyrë, blerësit përfitojnë një ndërfaqe të rifreskuar dhe përputhshmëri me aplikacionet e reja gjatë katër cikleve të përditësimit.
Sony dhe TCL nuk ofrojnë garanci të përcaktuar për të gjitha modelet
Ndryshe nga kompanitë që zhvillojnë platformat e tyre, Sony dhe TCL nuk garantojnë paraprakisht një numër të caktuar vitesh mbështetjeje për të gjithë televizorët e tyre.
Këta prodhues mbështeten kryesisht në platformën Google TV ose në versionet më të vjetra të Android TV.
Te Sony, kohëzgjatja e mbështetjes varet nga modeli konkret. Për shembull, disa televizorë premium OLED të vitit 2025 kanë afat zyrtar të mbështetjes deri në prill të vitit 2029, ndërsa modelet më të lira të të njëjtit vit marrin përditësime të sigurisë deri në qershor të vitit 2030.
Ndërkaq, TCL deklaron në faqen e saj zyrtare se zakonisht ofron përditësime të sigurisë për të paktën dy vjet nga fillimi i shpërndarjes së një modeli të caktuar. Megjithatë, televizorët nuk përmenden veçmas nga pajisjet e tjera të markës.
Çfarë duhet të bëni kur përditësimet ndalojnë?
Ndërprerja e mbështetjes softuerike nuk do të thotë se televizori duhet të hidhet.
Mënyra më e thjeshtë dhe më ekonomike për t’ia zgjatur jetën pajisjes është blerja e një pajisjeje të jashtme për transmetimin e përmbajtjeve, si një streaming device ose një smart stick.
Këto pajisje kushtojnë dukshëm më pak se një televizor i ri, lidhen përmes portës HDMI dhe marrin përsipër funksionimin e aplikacioneve.
Në këtë mënyrë, edhe një televizor më i vjetër mund të përdoret sërish për të shfrytëzuar shërbime si YouTube dhe Netflix, pa qenë nevoja të blihet një pajisje e re. /Telegrafi/

