Barometri i ri zgjedhor i SRG-së tregon se si do të votonin qytetarët zviceranë nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot. SVP-ja kryeson me 29.9 për qind, ndërsa FDP-ja dhe partitë e qendrës shënojnë rënie. Primet e sigurimit shëndetësor dhe ndryshimet klimatike renditen ndër shqetësimet kryesore të qytetarëve.
Një vit para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027, Partia Popullore Zvicerane (SVP) kryeson në sondazhin e ri zgjedhor të publikuar nga SRG-ja, me 29.9 për qind të mbështetjes së votuesve.
Sipas barometrit, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, SVP-ja do të shënonte një rritje prej dy pikësh përqindjeje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023. Të dhënat tregojnë gjithashtu rritje të mbështetjes për Partinë Socialdemokrate (SP) dhe të Gjelbrit, ndërsa FDP-ja dhe partia e qendrës do të humbnin vota, raporton Watson.
SP-ja do të merrte 19.3 për qind të votave, me një rritje prej një pikë përqindjeje, ndërsa të Gjelbrit do të arrinin në 10.3 për qind, me një rritje prej 0.5 pikësh.
Në anën tjetër, FDP-ja do të merrte 13.3 për qind, një pikë përqindjeje më pak se në zgjedhjet e vitit 2023. Sipas sondazhit, ky do të ishte rezultati më i ulët i saj në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar.
Partia e qendrës do të merrte 12.6 për qind të votave, me një rënie prej 1.5 pikësh përqindjeje. Ndërsa Partia Liberale e Gjelbër (GLP) do të arrinte në 7.1 për qind dhe Partia Popullore Ungjillore (EVP) në 2 për qind.
Dallimet në preferencat e votuesve
Sondazhi i SRG-së tregon dallime të dukshme në preferencat politike sipas gjinisë, moshës, arsimit dhe të ardhurave.
SVP-ja do të merrte mbështetjen e 34 për qind të burrave dhe 26 për qind të grave. Ndërsa SP-ja do të mbështetej nga 23 për qind e grave dhe 15 për qind e burrave. Të Gjelbrit gjithashtu kanë mbështetje më të lartë te gratë, me 12 për qind, krahasuar me 8 për qind te burrat.
Sa i përket grupmoshave, te qytetarët e moshës 18 deri në 34 vjeç, SVP-ja kryeson me 27 për qind, e ndjekur nga SP-ja me 25 për qind. Në mesin e personave mbi 65 vjeç, FDP-ja arrin në 16 për qind, transmeton Telegrafi.
Edhe niveli i arsimit paraqet dallime në preferencat politike. SVP-ja merr 36 për qind të mbështetjes te personat me arsim të detyrueshëm ose formim profesional, ndërsa te personat me diplomë universitare mbështetja bie në 18 për qind. Të Gjelbrit, në të kundërtën, arrijnë në 18 për qind te personat me arsim të lartë dhe në 7 për qind te grupi me nivel më të ulët arsimor.
Sipas të ardhurave, FDP-ja ka mbështetje prej 21 për qind te familjet me të ardhura ekuivalente mbi 8,000 franga, ndërsa te familjet me të ardhura deri në 4,000 franga kjo shifër është 9 për qind.
Primet shëndetësore dhe klima, shqetësimet kryesore
Barometri ka matur edhe problemet që qytetarët i konsiderojnë më të rëndësishme për Zvicrën.
Primet e sigurimit shëndetësor renditen të parat, me 39 për qind të të anketuarve që i përmendin si shqetësim kryesor. Pas tyre vijnë ndryshimet klimatike, me 36 për qind.
Në mesin e çështjeve të tjera që shqetësojnë qytetarët janë politika e azilit, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, imigracioni dhe mungesa e banesave.
Sipas sondazhit, shqetësimi për ndryshimet klimatike është rritur me nëntë pikë përqindjeje brenda një viti, duke arritur në 36 për qind. Ndërsa shqetësimi për mungesën e banesave është rritur nga 7 për qind në vitin 2019 në 23 për qind aktualisht.
Të dhënat tregojnë edhe dallime mes grave dhe burrave. Ndryshimet klimatike përmenden si shqetësim nga 40 për qind e grave dhe 31 për qind e burrave. Primet e sigurimit shëndetësor shqetësojnë 41 për qind të grave dhe 37 për qind të burrave.
Ndërkohë, ekonomia dhe konkurrueshmëria përmenden më shpesh nga burrat, me 16 për qind, krahasuar me 9 për qind të grave.
Ndryshimet klimatike dhe imigracioni ndajnë votuesit
Sondazhi evidenton dallime të mëdha mes mbështetësve të partive sa u përket problemeve që i konsiderojnë më të rëndësishme.
Ndryshimet klimatike përmenden si sfidë nga 89 për qind e votuesve të të Gjelbërve, ndërsa te mbështetësit e SVP-së kjo shifër është vetëm 5 për qind.
Në anën tjetër, votuesit e SVP-së i konsiderojnë imigracionin dhe politikën e azilit ndër çështjet kryesore, me përkatësisht 51 dhe 50 për qind.
Sa u përket faktorëve që ndikojnë në vendimin për votim, ndryshimet klimatike janë vendimtare për 94 për qind të votuesve të të Gjelbërve. Te mbështetësit e SP-së, kjo çështje përmendet nga 55 për qind, ndërsa primet e sigurimit shëndetësor nga 53 për qind.
Për votuesit e SVP-së, politika e azilit është faktori kryesor, me 69 për qind, e ndjekur nga imigracioni me 63 për qind. Ndërsa për mbështetësit e FDP-së, ekonomia është çështja më e rëndësishme, e përmendur nga 61 për qind e tyre.
Te votuesit e partisë së qendrës, primet e sigurimit shëndetësor renditen të parat, me 47 për qind.
Barometri i ri paraqet preferencat aktuale të votuesve zviceranë rreth një vit para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2027. Shifrat pasqyrojnë rezultatet e sondazhit dhe jo rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve./Telegrafi/

