KORREKT / SOT16 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Shqipëria promovohet në një dokumentar të ri në televizionin publik zviceran nga një producente kosovare

Shqipëria promovohet në një dokumentar të ri në televizionin publik zviceran nga një producente kosovare

Tradita muzikore shqiptare dhe ajo zvicerane takohen në një dokumentar të ri të televizionit publik zviceran SRF.

Dokumentari “Lisa Stoll in Albania: Alphorn meets archaic singing”, pjesë e serisë “Stubete around the World”, ndjek udhëtimin e muzikantes së njohur zvicerane Lisa Stoll në Shqipëri, ku ajo njihet nga afër me traditën shekullore të iso-polifonisë shqiptare dhe eksploron mundësitë e ndërthurjes së saj me tingujt e instrumentit tradicional zviceran, alpenhornit.

Në këtë produksion, producentja Dafina Beqiri ka dhënë një kontribut të madh në jetësimin e tij, duke orientuar ekipin drejt pikave kyçe të realizimit dhe duke ndihmuar që rrëfimi të shkojë përtej një udhëtimi muzikor. Përmes njohjes së kontekstit kulturor dhe rëndësisë së traditës shqiptare, dokumentari krijon një lidhje mes muzikës, identitetit dhe trashëgimisë që përcillet brez pas brezi.

Udhëtimi i Lisa Stoll nis në Tiranë dhe vazhdon drejt Rivierës Shqiptare, ku muzikantja zbulon botën e iso-polifonisë, një traditë e veçantë e këndimit shumëzërësh që është pjesë e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s. Gjatë rrugëtimit, ajo shoqërohet nga këngëtarja Eleni Merkuri, përmes së cilës njihet më nga afër me këtë formë të të kënduarit dhe me rëndësinë që ajo vazhdon të ketë në jetën kulturore shqiptare.

Një nga ndalesat më domethënëse është fshati Pilur, i njohur për traditën e tij të këngës polifonike. Atje, Stoll përjeton nga afër mënyrën se si kjo trashëgimi përcillet nga një brez te tjetri dhe se si vazhdon të mbetet pjesë e identitetit të komunitetit.

Lisa Stoll (Foto: SRF/YouTube)

Edhe pse në pamje të parë tingujt e alpenhornit zviceran dhe iso-polifonisë shqiptare duken krejt të ndryshëm, dokumentari zbulon pika të përbashkëta mes tyre. Përmes eksperimenteve muzikore, Lisa Stoll kërkon mënyra për t’i ndërthurur tingujt karakteristikë të Alpeve me zërat e këngëtarëve shqiptarë, duke dëshmuar se muzika mund të krijojë ura komunikimi edhe mes traditave që zhvillohen në kontekste të ndryshme kulturore.

Kulmi i këtij takimi muzikor vjen në një festival të përbashkët në Himarë, ku tingujt e alpenhornit dhe iso-polifonia bashkohen në një performancë të veçantë, me detin si sfond. Ky moment përmbledh mesazhin kryesor të dokumentarit: muzika nuk njeh kufij dhe mund të afrojë njerëz e kultura që, pavarësisht dallimeve, gjejnë gjuhë të përbashkët përmes artit.

Kontributi i Dafina Beqirit në këtë produksion merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se një profesioniste nga Kosova bëhet pjesë e një projekti që promovon kulturën dhe trashëgiminë shqiptare në një produksion ndërkombëtar. Përmes punës së saj, ajo kontribuon në prezantimin e Shqipërisë dhe traditave të saj te publiku zviceran, duke e sjellë këtë histori në një format që ndërthur dokumentimin, udhëtimin dhe muzikën.

Dokumentari është publikuar më 10 tetor 2026 në kanalin zyrtar “SRF Unterhaltung” në YouTube dhe është pjesë e serisë “Stubete around the World”, e cila eksploron traditat muzikore të vendeve të ndryshme dhe mënyrën se si ato mund të komunikojnë me njëra-tjetrën.

Përtej takimit të dy instrumenteve dhe dy traditave, ky produksion sjell në vëmendje edhe rolin që profesionistët shqiptarë mund të kenë në projekte ndërkombëtare, duke kontribuar që trashëgimia kulturore shqiptare të njihet dhe të vlerësohet edhe përtej kufijve. /Telegrafi/

– YouTube youtu.be

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.