Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se po vazhdojnë punimet infrastrukturore në Zhabar dhe Bajr, me qëllim të përmirësimit të kushteve për banorët e këtyre zonave.
Sipas njoftimit të komunës, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë është duke realizuar punimet me kubëza betoni në rrugën “Tafil Sadiku”, në Zhabar.
Drejtori i kësaj drejtorie, Naser Muja, ka bërë të ditur se punimet do të vazhdojnë edhe në rrugët e tjera të kësaj zone, në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe të cilësisë së jetesës së qytetarëve.
Ndërkaq, në fshatin Bajr po vazhdojnë punimet për rregullimin e trotuareve, si dhe realizimin e projektit të ndriçimit publik.
Këto ndërhyrje infrastrukturore synojnë përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe rritjen e sigurisë për banorët e të dy zonave. /Telegrafi/

