Rusia ka pranuar publikisht se një rafineri e madhe e naftës në vend është goditur nga një sulm ukrainas me dronë këtë javë, ndërsa televizioni shtetëror ka transmetuar pamje nga vendi i ngjarjes, duke u larguar nga praktika e zakonshme e Moskës për të mos i theksuar sulme të tilla.
Sulmi ndaj rafinerisë në Rjazan, në juglindje të Moskës, ndodhi të enjten. Guvernatori rajonal e identifikoi menjëherë objektivin si rafinerinë, një nga më të mëdhatë në Rusi.
Për herë të parë që nga fillimi i luftës, televizioni shtetëror rus transmetoi pamje nga pasojat e një sulmi ndaj një rafinerie.
Kanali “Rossiya-24” shfaqi objektin me një sasi relativisht të vogël tymi të zi që ngrihej mbi të, ndërsa nuk u pa zjarr.
Moska po e thekson këtë incident, i cili ndodhi katër ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi për një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilin asnjëra palë nuk e konfirmoi, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ukraina ka deklaruar se i kishte pezulluar për tri ditë sulmet e këtij lloji, në shenjë respekti ndaj Trumpit, por më pas i rifilloi ato, pasi Rusia vazhdoi sulmet ndaj termocentraleve dhe infrastrukturës tjetër energjetike ukrainase.
Ndërkohë, Trump po përballet me presion për uljen e çmimeve të karburanteve, ndërsa Partia Republikane përgatitet për zgjedhjet e mesmandatit në më pak se tri javë.
Çmimet e naftës për automjete me motorë dizel kanë arritur nivele rekord që nga nisja e luftës kundër Iranit në shkurt. Megjithatë, Trump ka pretenduar se sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse janë një nga faktorët që po i rrisin çmimet globale të karburanteve.

