Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka rikonfirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën, duke theksuar se presioni ndaj Rusisë duhet të vijojë deri në ndalimin e luftës dhe arritjen e një armëpushimi të vërtetë.
Duke folur në Bruksel, së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Costa deklaroi se prioritet mbetet bindja e Moskës për të pranuar armëpushimin dhe për t’u ulur në tryezën e negociatave.
“Tani është koha për paqe”, u shpreh Costa, duke nënvizuar rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Nga ana e saj, Ursula von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian nuk do të lehtësojë sanksionet ndaj Rusisë për sa kohë që lufta vazhdon.
“Një gjë është absolutisht e qartë – ne nuk do të heqim asnjë sanksion nëse Rusia nuk e ndal këtë luftë”, deklaroi ajo përpara samitit. /abcnews

