Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka njoftuar se sot do të organizojë protestë për shkak të mospagesës në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagën minimale.
Sipas njoftimit, protesta do të nisë në orën 11:00 nga zyrat e kësaj federate dhe do të vazhdojë deri në oborrin e Komunës së Prishtinës, transmeton Klankosova.tv.
Në protestë do të marrin pjesë punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës, si dhe punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Sindikata ka bërë të ditur se protesta organizohet për shkak të mospagesës së pagave në përputhje me vendimin e Qeverisë për pagën minimale dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve.

