Policia e Shtetit ka reaguar ndaj lajmeve të shpërndara në rrjetet sociale, sipas të cilave në radhët e policisë së angazhuar në tubimin e 15 tetorit në Tiranë kishte edhe punonjës policie nga Serbia.
Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit i cilëson këto pretendime si tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe, duke theksuar se synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të dëmtuar besimin e qytetarëve te institucioni, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Policisë së Shtetit, në tubimin e zhvilluar më 15 tetor, ashtu si në çdo tubim tjetër, janë angazhuar vetëm punonjës të Policisë së Shtetit, të planëzuar në shërbim në bazë të planit të masave.
“Pretendimi për angazhimin e punonjësve të policisë nga Serbia është tërësisht i pavërtetë”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.
Policia shpreh keqardhjen për përhapjen e këtyre lajmeve në rrjetet sociale dhe u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj informacioneve të pavërtetuara që qarkullojnë në internet.

