KORREKT / SOT15 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Shëndet

“Ndjeva që u përplasa fuqishëm…”, dëshmia e Ledion Ballës që policët i thyen këmbën në protestë

“Ndjeva që u përplasa fuqishëm…”, dëshmia e Ledion Ballës që policët i thyen këmbën në protestë

Ledion Balla, i cili dyshohet se u dhunua nga katër punonjës të Policisë së Shtetit gjatë protestave në Tiranë, ka rrëfyer për emisionin investigativ “Fiks Fare” përjetimet e tij nga ngjarja, ndërsa po trajtohet në Spitalin e Traumës.

Në një bisedë, Balla ka thënë se është goditur fuqishëm, ndërsa ka mohuar të ketë qenë pjesë e protestës.

“Isha aty në lokal dhe nisa një herë të iki. Pastaj s’kisha ku shkoja, se ishte rruga e bllokuar. Ndjeva që u përplasa diku. Fuqishëm”, ka rrëfyer ai.

Balla ka vënë në pikëpyetje dhunën ndaj tij, duke thënë se nuk kishte marrë pjesë në protestë.

“Po nuk vritet njeriu kot. Me dalë në rrugë e ça…”, ka deklaruar ai, sipas raportimit të “Fiks Fare”.

Nëna e të riut, e cila po qëndron pranë tij në spital, ka treguar se ai ka pësuar thyerje të kockave të këmbës dhe se gjatë ndërhyrjes mjekësore i janë vendosur elemente metalike për stabilizimin e tyre.

“Tani është në fazën e rikuperimit. I futën hekur nga gjuri e deri poshtë. O Zot, asnjë mos e pastë kismet. Nuk i është dëmtuar lëkura apo enët e gjakut. Vetëm kocka është thyer, tjerat nuk janë”, ka thënë ajo.

Sipas nënës së tij, pas trajtimit spitalor, Balla do të ketë nevojë edhe për fizioterapi gjatë procesit të rikuperimit.

Gjatë bisedës në dhomën e spitalit, aty ka mbërritur edhe kryeinfermieri, i cili i ka kërkuar bashkëpunëtores së “Fiks Fare” të largohet, duke thënë se kishte marrë urdhër që pacienti të mos takohej me persona të tjerë.

“E kam urdhër, asnjë mos ta takojë”, i ka thënë ai gazetares, sipas emisionit.

Ndërkohë, lidhur me rastin, Policia e Shtetit ka pezulluar katër punonjësit që e kishin transportuar Ballën, si dhe shefin e krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1.

Emisioni “Fiks Fare” ka tentuar të marrë një prononcim edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj.

Sipas raportimit, Hitaj ndodhej në afërsi të Kryeministrisë, në ditën e tretë të protestës së studentëve. Kur grupi i xhirimit është përpjekur t’i afrohet, disa punonjës policie kanë larguar me forcë gazetaren dhe operatorin.

Më pas, bashkëpunëtorët e emisionit e kanë kontaktuar Hitajn përmes telefonit, por ai nuk ka dhënë shpjegime lidhur me rastin.

“Mirupafshim”, ka qenë përgjigjja e tij, sipas “Fiks Fare”.

Emisioni ka publikuar gjithashtu pamje ku Hitaj shihet duke lëvizur dhe duke qeshur, ndërsa raportonte për dhunën e ushtruar nga punonjës policie ndaj protestuesve, përfshirë studentë dhe të mitur.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.