Influencuesja dhe modelja panameze Gracie Bon është përballur me kritika në rrjetet sociale pasi publikoi fotografi ku pozonte para rrënojave të shkaktuara nga një tërmet në Panama.
Në fotografitë e publikuara, ajo shfaqet para ndërtesave të dëmtuara, ndërsa në mbishkrimin e postimit u bëri thirrje njerëzve të vlerësojnë jetën dhe të ndihmojnë personat e prekur nga fatkeqësia natyrore.
“Pasuria materiale mund të zëvendësohet, por jeta është e paçmueshme. Ta vlerësojmë atë që kemi dhe t’u zgjasim dorën atyre që kanë nevojë”, shkroi Bon.
Megjithatë, fotografitë e saj shkaktuan reagime të shumta negative. Disa përdorues e akuzuan se po e shfrytëzonte fatkeqësinë për të tërhequr vëmendje, ndërsa të tjerë e konsideruan të papërshtatshme që ajo të pozonte para shtëpive të dëmtuara.
Pas kritikave, influencuesja reagoi përmes një videoje, duke shpjeguar se qëllimi i saj nuk ishte vetëm të realizonte fotografi, por edhe të ndihmonte familjet e prekura nga tërmeti.
Bon tha se dëshironte ta shfrytëzonte numrin e madh të ndjekësve për të tërhequr vëmendjen ndaj situatës dhe për të gjetur familje të cilave mund t’u ndihmonte me rindërtimin e shtëpive.
Ajo pretendoi se kishte dhuruar para dhe kishte shpërndarë personalisht ndihma për personat e prekur. Sipas saj, publikimi i fotografive ishte një mënyrë për të arritur te më shumë njerëz dhe për të nxitur mbështetjen për familjet në nevojë.
Megjithatë, shpjegimet e saj nuk i bindën të gjithë. Disa përdorues vazhduan ta kritikonin, duke argumentuar se ndihma për viktimat e fatkeqësive mund të promovohej pa pozuar para rrënojave. /Telegrafi/

