Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), përmes kryetarit Dr. Agim Shahini, u ka drejtuar një kërkesë urgjente institucioneve të Republikës së Shqipërisë, duke kërkuar masa konkrete për mbrojtjen e pronës private dhe publike, garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ruajtjen e rendit institucional.
Në një shkresë drejtuar Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, AKB-ja shpreh shqetësimin për situatën e tensionuar dhe rrezikun e mundshëm ndaj pronës, sigurisë publike dhe funksionimit normal të institucioneve.
Sipas AKB-së, mbrojtja e jetës, sigurisë së qytetarëve dhe pronës private e publike, si dhe garantimi i rendit kushtetues, janë përgjegjësi themelore të shtetit. Aleanca thekson se çdo përshkallëzim i dhunës dhe dëmtim i pronës cenon sigurinë, besimin e qytetarëve dhe klimën e biznesit.
Në këtë drejtim, AKB-ja kërkon nga institucionet shqiptare ndërmarrjen e masave të menjëhershme dhe proporcionale për mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve, koordinim të plotë ndërmjet institucioneve përgjegjëse për rendin dhe sigurinë, si dhe hapjen e kanaleve efektive të dialogut institucional dhe politik për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Një tjetër kërkesë e AKB-së është shqyrtimi urgjent i mekanizmave kushtetues dhe ligjorë, përfshirë edhe mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara me ligj dhe Kushtetutë.
AKB-ja vlerëson se situata të tilla kërkojnë përgjegjësi të lartë shtetërore, maturi politike dhe veprim në kohën e duhur, me qëllim parandalimin e çdo cenimi të mëtejshëm të sigurisë dhe pronës.
“Shqipëria ka nevojë për rend, siguri, dialog dhe institucione funksionale. Prona private dhe publike duhet të mbrohet, ligji duhet të zbatohet dhe qytetarët duhet të ndihen të sigurt”, thuhet në thirrjen e Aleancës Kosovare të Bizneseve.
Në përfundim, AKB-ja thekson se mbrojtja e pronës, siguria e qytetarëve dhe stabiliteti institucional janë interesa të përbashkëta që duhet të qëndrojnë mbi çdo dallim politik, duke u bërë thirrje institucioneve shqiptare për vëmendje dhe veprim urgjent.

