Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është përballur me kritika të ashpra nga anëtarët e këshillit pas polemikave për projektin sekret “FIFA Forward Enterprise”, që synonte kalimin e një pjese të të drejtave komerciale te një kompani private investimesh.
Infantino kërkoi falje për moskonsultimin e këshillit, por kjo nuk mjaftoi për të qetësuar kritikët.
Debbie Hewitt, kryetare e Federatës Angleze të Futbollit dhe zëvendëspresidente e FIFA-s, deklaroi se shumë pyetje ende kanë mbetur pa përgjigje.
Ajo paralajmëroi se Infantino nuk është i përshtatshëm për të drejtuar FIFA-n nëse nuk jep sqarime të plota për çështjen.
Ndërkohë, UEFA vazhdon të mbajë qëndrim kritik ndaj presidentit të FIFA-s dhe po kërkon dokumentet që lidhen me projektin.
Në mesin e emrave që përmenden si kandidatë të mundshëm për ta sfiduar Infantinon është edhe ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger.
Zgjedhjet presidenciale të FIFA-s pritet të mbahen në mars, ndërsa afati për paraqitjen e kandidatëve përfundon më 18 nëntor.

