Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe përfaqësuesit e kompanive anëtare kanë zhvilluar një takim me Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit të Kosovës ku është diskutuar për zhvillimin e skemave të akreditimit, rëndësinë e tyre për bizneset dhe rritjen e besueshmërisë së rezultateve të testimit, inspektimit dhe certifikimit.
Sipas komunikatës së Odës Amerikane, akreditimi në Kosovë mbetet një fushë në zhvillim, me rëndësi të veçantë për avancimin e infrastrukturës së cilësisë dhe forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve në treg.
“Akreditimi në Kosovë mbetet një fushë në zhvillim, me rëndësi për avancimin e infrastrukturës së cilësisë dhe rritjen e besueshmërisë së rezultateve të testimit, inspektimit dhe certifikimit. Këto çështje ishin në fokus të takimit të Odës Amerikane dhe përfaqësuesve të kompanive anëtare me Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit të Kosovës (DAK)”, thuhet në komunikatën e Odës Amerikane.
“Në takim, DAK u përfaqësua nga Irfan Lipovica, Drejtor i Përgjithshëm, Ardiana Shala Krrabaj, Drejtore e Departamentit për Akreditim dhe Zhvillim dhe Safete Rexhepi, Udhëheqëse e Divizionit për Akreditim, me të cilët u diskutua për skemat aktuale të akreditimit, kërkesat dhe procesin e akreditimit për Trupat e Vlerësimit të Konformitetit, si dhe përfitimet që akreditimi sjell për bizneset dhe konsumatorët”.
Po ashtu, aty u theksua rëndësia e mbikëqyrjes së vazhdueshme, dokumentimit dhe vlerësimeve krahasuese, me qëllim të sigurimit të besueshmërisë dhe saktësisë së rezultateve.
“Gjatë takimit u prezantuan skemat aktuale të akreditimit për Trupat e Vlerësimit të Konformitetit (TVK), të cilat përfshijnë laboratorët testues dhe kalibrues, laboratorët mjekësorë, trupat inspektues dhe trupat e certifikimit të produkteve. Aktualisht, janë në zbatim katër skema të akreditimit, ndërsa tri të tjera janë në zhvillim. Gjithashtu, u diskutua për rëndësinë e mbikëqyrjes së vazhdueshme, dokumentimit dhe vlerësimeve krahasuese për të siguruar besueshmërinë e rezultateve”.
“Rritja e ndërgjegjësimit të bizneseve për përfitimet e akreditimit mbetet e rëndësishme për avancimin e cilësisë dhe forcimin e konkurrueshmërisë në treg”.

