Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili paralajmëroi se Kosova rrezikon ta humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.
Gashani, i cili është edhe anëtar i Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare, e ka kritikuar Ramën për publikimin e korrespondencës së Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), duke e cilësuar reagimin e tij si alarm të pabazë dhe me dramatizim të panevojshëm.
Sipas ministrit, publikimi i letrës pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale përbën qasje problematike.
Ai ka theksuar se korrespondenca për trajtimin e çështjeve mes institucioneve partnere i ishte drejtuar edhe kryetarit të Prishtinës, e jo vetëm drejtuesve të tjerë institucionalë.
Gashani ka siguruar se përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare mbetet i plotë dhe i palëkundur, duke thënë se puna po vazhdon në bashkëpunim me ICMG-në dhe institucionet përkatëse.
“Vështirësitë, problemet dhe kompleksiteti i natyrshëm i projekteve të tilla po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, pa zhurmë, pa britma, pa ankesa”, ka shkruar Gashani.
Ai ka kritikuar gjithashtu atë që e ka cilësuar si ngritje të panevojshme të alarmeve dhe përhapje të disfatizmit, duke theksuar se vëmendja duhet të përqendrohet te puna konkrete dhe bashkëpunimi institucional.
Sipas ministrit, Lojërat Mesdhetare janë një projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për sportin dhe për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre”, ka deklaruar ai.
Në fund, Gashani ka përsëritur se Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare në vitin 2030 dhe se synimi është që vendi të shkëlqejë si në organizim, ashtu edhe përmes rezultateve të sportistëve kosovarë. /Zëri

