Policia Rajonale e Ferizajt ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar për veprën penale “shpërdorim i pasurisë së huaj”.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti dyshohet se ka ndodhur më 11 shtator 2026, në rrugën “Qamil Ilazi” në Ferizaj, pasi një personi i kishte rënë kuleta.
I dyshuari dyshohet se e ka marrë kuletën në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së tjetrit.
Me autorizim të prokurorit të Shtetit, Policia ka publikuar fotografinë dhe videon e personit të dyshuar, duke ftuar qytetarët që mund të kenë informacione për identitetin ose vendndodhjen e tij që t’i ndajnë ato me autoritetet.
Qytetarët mund ta njoftojnë Policinë përmes numrit emergjent 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/

