Policia e Kosovës ka identifikuar një person të dyshuar për shkaktimin e një aksidenti trafiku në Zveçan, i cili më pas dyshohet se ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas njoftimit të Policisë, aksidenti kishte ndodhur më 13 tetor, në rrugën “Mbreti Petar”, ku një automjet kishte goditur një automjet tjetër me targa vendore, duke shkaktuar dëme materiale.
Pas veprimeve hetimore, më 15 tetor, njësitë policore në Zveçan kanë arritur ta identifikojnë automjetin e dyshuar, i cili ishte i parkuar në qytet. Automjeti është tërhequr dhe dërguar në stacionin policor.
Policia ka identifikuar edhe personin e dyshuar, me inicialet M.A., 58-vjeçar, nga komuna e Leposaviqit, i cili është paraqitur në stacionin policor.
Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se e kishte shkaktuar aksidentin dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Pas intervistimit, ai është liruar.
Policia e Kosovës ka ftuar qytetarët që rastet e dyshimta t’i raportojnë në numrin 192, ndërsa pjesëmarrësve në trafik u ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht për shkak të reshjeve të pritshme dhe kushteve të vështirësuara të qarkullimit. /Telegrafi/

