Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi të enjten se ka kapur një raketë lundruese në rajonin e Medinës, ku ndodhet një nga qytetet më të shenjta të Islamit.
Zëdhënësi i koalicionit, Turki al-Malki, deklaroi se “një raketë lundruese është kapur dhe shkatërruar në rajonin e Medinës”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Më herët gjatë këtij muaji, koalicioni njoftoi se milicia Houthi në Jemen – e mbështetur nga Irani – kreu një sulm me dron ndaj një stacioni të shpërndarjes së energjisë elektrike në qytetin e shenjtë të Medinës.
Ky stacion ishte ndër objektet që furnizonin me energji elektrike Xhaminë e Profetit në Medinë.
Megjithatë, siç shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi, Houthët deklarojnë se sot nuk është kryer asnjë sulm ndaj Arabisë Saudite.
Yahya Saree, zëdhënësi ushtarak i lëvizjes Houthi, thotë se sot (e enjte) nuk është kryer asnjë sulm ndaj Arabisë Saudite.
Ndërkohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi të mërkurën se sulmet ndaj Arabisë Saudite mund të dëmtojnë ekonomitë në mbarë botën, pasi një sulm dëmtoi selinë e gjigantit të naftës Aramco.
Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, theksoi rëndësinë ekonomike të Arabisë Saudite.
“Në këtë kuptim, këto zhvillime kanë pasoja potencialisht negative për të gjithë, kudo”, tha ajo në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Bangkok, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ministria e energjisë e Arabisë Saudite theksoi se një ndërtesë administrative në selinë e Aramco-s në Dhahran u godit të martën në mbrëmje, duke shkaktuar një zjarr të kufizuar.
Ajo tha se nuk pati të vdekur ose të lënduar.
Siç bëhet e ditur më tej, Houthët e Jemenit, të lidhur me Iranin, morën përgjegjësinë.
Grupi ka sulmuar gjithashtu aeroportet saudite gjatë luftimeve të ripërtërira me një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite. /Telegrafi/

