Rreth 85 mijë persona në vend, në vitin 2024, kanë punuar si punëtor sezonalë por pa punësim formal, pa kontrata dhe pa sigurim shëndetësor. Pikërisht për këtë kategori të punëtorëve filloi zbatimi i ligjit për angazhimin e tyre, me qëllim uljen e ekonomisë gri dhe rritjen e sigurisë për punëtorët sezonalë. Sipas Ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, me ligjin e ri pritet të formalizohen mbi 17 mijë punëtorë sezonalë, kryesisht në sferën e bujqësisë, turizmit e hotelerisë.
“Me këtë ligj, vendosim model më fleksibël dhe të thjeshtësuar për punësim legal të fuqisë punëtore, me kornizë të qartë juridike dhe procedura elektronike për lajmërim, çlajmërim dhe arkëtim të kontributeve. Me zbatimin e ligjit pritet formalizim deri në 12.000 punëtorë sezonalë në bujqësi dhe rreth 5.400 punëtorë të paregjistruar në turizëm, hoteleri dhe shërbime apo përfshirja e përgjithshme në total është rreth 17.400 punëtorë”, u shpreh Besar Durmishi – Ministër i Ekonomisë dhe Punës.
Sipas Durmishit, ligji u garanton punëtorëve sezonalë, pagesë për orë, kontribute për sigurim pensional dhe invalidor, si dhe sigurim shëndetësor në rast lëndimi në vendet e punës apo të sëmundjeje.
Sipas ligjit, punësimi sezonalë nuk ndikon në humbjen e të drejtave sociale të papunët mbeten në evidencë, pensionistët ruajnë pensionin, ndërsa studentët dhe nxënësit mbeten në sistemin arsimor./Alsat/