KORREKT / SOT15 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Rama për protestat në Shqipëri: Nuk do të jap dorëheqjen

Rama për protestat në Shqipëri: Nuk do të jap dorëheqjen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të dhunshme që kanë hyrë në ditën e tretë radhazi në vend.

Në një përgjigje me shkrim për agjencinë e lajmeve “Reuters”, të enjten, Rama ka theksuar se ndryshimi i qeverive bëhet përmes zgjedhjeve demokratike, duke rikujtuar se zgjedhjet e fundit janë mbajtur vitin e kaluar.

“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne zhvilluam zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, u shpreh Rama për “Reuters”.

Kreu i qeverisë shqiptare ka thënë se përgjegjësia e tij është të dëgjojë qytetarët, t’u përgjigjet shqetësimeve të tyre dhe të vazhdojë punën për zhvillimin e vendit.

Ai ka theksuar se synimi i qeverisë mbetet përfundimi i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, t’u përgjigjem shqetësimeve legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara. E kundërta do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Duke folur për situatën politike dhe procesin e integrimit europian, Rama ka deklaruar se Shqipëria po e lufton korrupsionin më shumë se në çdo periudhë tjetër.

Ai ka ngritur gjithashtu dyshime se disa forca brenda dhe jashtë vendit mund të mos e dëshirojnë suksesin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Korrupsioni duhet të luftohet dhe, siç ka rikonfirmuar së fundmi edhe vetë BE-ja, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë. Ndoshta disa forca, brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të ketë sukses si pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE. Por unë nuk do të lejoj që dhuna të devijojë të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, tha ai.

Ndërkohë, situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar pas protestave të dhunshme.

Gjatë përplasjeve, policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët thyen xhama dhe dëmtuan institucione publike e prona private.

Protesta e dhunshme e zhvilluar një ditë më parë, si dhe paralajmërimet për rrethimin e Kuvendit gjatë ditës së sotme, çuan në anulimin e seancës plenare.

Situata vijon të mbetet e tensionuar në disa rrugë të Tiranës, por edhe në disa qytete të tjera të vendit, ndërsa protestat dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit vazhdojnë të mbajnë në fokus zhvillimet politike në Shqipëri.

 

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.