Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në seancën plenare të Kuvendit për themelimin e Grupit Punues, që do të angazhohet në mbështetjen e procesit të apelit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kurti tha se Grupi punues do të bashkëpunojë me ekipet mbrojtëse për të identifikuar nevojat për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale, duke përfshirë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Sipas tij, një pjesë e rëndësishme e punës do të jetë sistemimi dhe analizimi i dokumentacionit historik, juridik dhe gjyqësor, përfshirë aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga Serbia.
“Grupi Punues do të bashkëpunojë me ekipet mbrojtëse për identifikimin e nevojave për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale, duke përfshirë ekspertë si vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë, sipas nevojave të cilat identifikohen”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se dokumentacioni i mbledhur do të shërbejë për mbështetjen e ekipeve mbrojtëse dhe për komunikimin ndërkombëtar lidhur me procesin gjyqësor.
“Kjo bazë dokumentare do t’i shërbejë mbështetjes së mbrojtjes dhe një komunikimi ndërkombëtar të qëndrueshëm”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se puna duhet t’i lihet Grupit punues, i cili do të angazhohet në përmbushjen e detyrave të përcaktuara për këtë proces.

