Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës dhe grupet parlamentare të nisin një mocion në Këshillin e Evropës për rishqyrtimin e burimeve dhe metodologjisë së raportit të Dick Martyt.
Në seancën plenare të Kuvendit, Hoxhaj ka pretenduar se mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës lidhet me Gjykatën Speciale dhe jo me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Hoxhaj e cilësoi raportin e Dick Martyt, i cili përmbante pretendime për trafikim të organeve gjatë luftës në Kosovë, si pjesë të një fushate që, sipas tij, synonte të dëmtonte pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Në prill të vitit 2008, Këshilli i Evropës e nisi një mocion për ta hartuar raportin e Dick Martyt. Në dhjetor të vitit 2010 dhe në janar të vitit 2011, ky mocion u shndërrua në një raport me pretendime për trafikim të organeve. Ky mocion dhe ky raport ka qenë pjesa më komplekse, më goditëse e luftës hibride ruse kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës”, deklaroi Hoxhaj.
Ai tha se për inicimin e mocionit nevojiten vetëm 20 nënshkrime dhe mbështetja e pesë deri në gjashtë shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.
“Një mocion që ndërtohet mbi atë që të verifikohen të gjitha burimet që i ka përdorur Këshilli i Evropës për ta hartuar këtë raport, të sqarohet metodologjia, të kërkohet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës”, u shpreh ai.
Hoxhaj theksoi se, sipas vlerësimit të tij, procesi i anëtarësimit të Kosovës, i cili nuk u përmbyll në vitin 2024, u ndikua nga çështja e Gjykatës Speciale.
“Unë jam i bindur që arsyeja që Kosova para dy vitesh nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës nuk është Asociacioni i komunave, por është pikërisht i ndërlidhur me Gjykatën Speciale”, tha Hoxhaj.

