Shërbimet e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave janë ndërprerë sot në komunat e Prizrenit, Suharekës, Malishevës dhe Rahovecit. Si pasojë, në Prizren, përfshirë Shadërvanin dhe zonën përreth, që vizitohen nga një numër i madh turistësh, mbeturinat kanë mbetur në rrugë.
Kompania Rajonale e Mbeturinave KRM “Ekoregjioni” ka bërë të ditur se ndërprerja e shërbimeve erdhi pasi deponia e KMDK-së në Landovicë nuk po lejon hyrjen e automjeteve të kompanisë.
Sipas njoftimit, hyrja e automjeteve në deponi është ndaluar për shkak të obligimeve financiare të papërmbushura. Kompania thekson se mosshlyerja e obligimeve financiare të komunave përkatëse ndaj KRM “Ekoregjioni” ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë e saj për t’i përmbushur obligimet financiare ndaj KMDK-së.
Deri më tani nuk është bërë e ditur se kur do të rifillojnë shërbimet. Ndërkohë, KRM “Ekoregjioni” u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të mos i nxjerrin mbeturinat jashtë shtëpive, ndërtesave dhe lokaleve të tyre deri në rifillimin e grumbullimit.
Menaxhmenti i kompanisë u ka kërkuar falje qytetarëve për shqetësimet e krijuara, duke bërë të ditur se për çdo zhvillim të ri do t’i njoftojë ata përmes kanaleve zyrtare.

