Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se punimet në projektin “Ndërtimi i rrugëve në Malësinë e Zhegocit”, në Komunën e Gjilanit, kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Projekti përfshin ndërtimin e 10.13 kilometrave rrugë, me vlerë investimi prej rreth 2 milionë eurosh, të financuara nga kjo ministri në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me Komunën e Gjilanit.
Sipas ministrisë, realizimi i këtij projekti synon përmirësimin e lidhjes ndërmjet vendbanimeve, rritjen e sigurisë në qarkullim dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët e kësaj zone.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në të gjithë Kosovën. /Telegrafi/

