Prindërit që përpiqen të bëjnë gjithçka për fëmijët e tyre, me qëllimin për t’i mbrojtur nga vështirësitë, mund të ndikojnë pa dashje në zhvillimin e pavarësisë dhe vetëbesimit të tyre.
Sipas ekspertëve, mungesa e mundësive për të marrë vendime dhe për të zgjidhur probleme vetë mund të krijojë zakone që vazhdojnë edhe në moshë madhore.
Një nga pasojat është vështirësia për të besuar te aftësitë personale. Kur prindërit ndërhyjnë vazhdimisht dhe kryejnë edhe detyrat më të thjeshta, fëmijët mund të fillojnë të dyshojnë në aftësinë e tyre për t’ia dalë pa ndihmë.
Një tjetër problem lidhet me menaxhimin e emocioneve dhe marrëdhëniet shoqërore. Loja u jep fëmijëve mundësinë të mësojnë si të bashkëpunojnë, të përballojnë mosmarrëveshjet dhe të reagojnë ndaj situatave të ndryshme.
Për këtë arsye, prindërit duhet t’i mbështesin gjatë lojës pa u përpjekur të kontrollojnë çdo hap të saj.
Fëmijët që mbrohen vazhdimisht nga çdo vështirësi mund të kenë gjithashtu më pak këmbëngulje.
Kur përballen me një pengesë ose me diçka të pakëndshme, ata mund të dorëzohen më shpejt, pasi nuk kanë pasur mundësi të mësojnë si të përballojnë sfidat dhe të gjejnë zgjidhje.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e ekuilibrit mes mbështetjes prindërore dhe pavarësisë. Fëmijët kanë nevojë për udhëzime dhe siguri, por edhe për hapësirën që të gabojnë, të mësojnë nga përvojat dhe të marrin përgjegjësi.
Pavarësia nuk zhvillohet automatikisht me mbushjen e moshës 18-vjeçare, por ndërtohet gradualisht që në fëmijëri. /Telegrafi/

