Protestat në Shqipëri, të cilat janë përshkallëzuar gjatë mbrëmjes duke u shoqëruar me akte dhune dhe dëme materiale, kanë tërhequr vëmendjen e mediave zvicerane. SRF, Blick dhe 20 Minuten po raportojnë për situatën e krijuar në Tiranë, ku protestat e studentëve kundër rritjes së kostove të arsimit, kushteve të këqija të studimit dhe korrupsionit janë shoqëruar me dëme në disa ndërtesa qeveritare dhe biznese lokale, si dhe me përplasje mes demonstruesve dhe policisë.
Në raportimet e tyre, mediat zvicerane u referohen edhe burimeve shqiptare, përfshirë A2 CNN, Euronews Albania, Klan dhe Shekulli, si dhe agjencive ndërkombëtare të lajmeve Reuters dhe AFP. Krahas zhvillimeve në terren, ato trajtojnë edhe shkaqet e pakënaqësisë dhe mundësinë që protestat studentore të bashkohen me lëvizjet e tjera kundër qeverisë, transmeton Telegrafi.
SRF raporton për arrestimet, të plagosurit dhe përshkallëzimin e protestave
Televizioni publik zviceran SRF shkruan se protestat e studentëve kundër korrupsionit dhe problemeve në sistemin arsimor u përshkallëzuan në dhunë në kryeqytetin shqiptar. Duke iu referuar raportimeve të mediave, SRF njofton se gjatë trazirave policia mori 40 persona, ndërsa 13 persona, përfshirë gjashtë efektivë policie, u plagosën.
Sipas portalit shqiptar A2 CNN, disa qindra persona u mblodhën fillimisht në mënyrë paqësore para Ministrisë së Arsimit të martën pasdite. Demonstruesit kundërshtonin kushtet e këqija të studimit, kostot e larta të arsimit dhe mungesën e perspektivave të karrierës. Përveç kërkesave që lidhen me arsimin, ata kërkuan edhe dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama, i cili është në pushtet që nga viti 2013.
Situata u përkeqësua më vonë, kur demonstruesit hodhën tulla dhe gurë shtrimi. Trazirat u përhapën në disa pjesë të qendrës së Tiranës, ku u dëmtuan dyqane dhe banka, ndërsa u sulmua edhe ndërtesa e bashkisë. Policia përdori topa uji, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë turmën.
SRF citon gjithashtu portalin Euronews Albania, sipas të cilit pesë efektivë policie u pezulluan nga puna pas raportimeve për sulme ndaj personave që nuk merrnin pjesë në protesta dhe për përdorim joproporcional të forcës.
Të mërkurën, në ditën e dytë të protestave, mijëra demonstrues u mblodhën përsëri para Ministrisë së Arsimit. Disa prej tyre hodhën tulla drejt ndërtesës, rrëzuan barrierat dhe përmbysën kazanët e mbeturinave. Më pas, në ndërtesën e ministrisë shpërtheu zjarr, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën.
Duke iu referuar një dëshmitari okular të cituar nga Reuters, SRF raporton se një degë e afërt e Raiffeisen Bank u dogj gjithashtu.
Blick raporton për zjarrin pranë rezidencës së kryeministrit dhe dëmet në ndërtesat qeveritare
Edhe mediumi zviceran Blick i kushton vëmendje të veçantë përshkallëzimit të protestave dhe dëmeve të shkaktuara në Tiranë. Sipas raportimit të tij, dhjetëra mijëra studentë dolën në rrugët e kryeqytetit për të protestuar kundër kostove të arsimit dhe korrupsionit.
Situata u tensionua veçanërisht gjatë mbrëmjes, kur një turmë e madhe u mblodh rreth orës 18:00 para rezidencës zyrtare të kryeministrit Edi Rama. Blick i referohet televizionit shqiptar Klan, sipas të cilit ndërtesa u qëllua fillimisht me gurë. Pamjet televizive treguan tym pranë rezidencës, ndërsa më vonë u raportua se pemët në oborrin e ndërtesës kishin marrë flakë. Pamje të publikuara në rrjetet sociale shfaqnin gjithashtu flakë pranë ndërtesës.
Tensionet në Tiranë marrin vëmendjen e mediave zvicerane, Blick: Flakë në rezidencën e kryeministrit

Rezidenca e kryeministrit nuk ishte objektivi i vetëm i demonstruesve. Duke cituar Reuters, Blick shkruan se një degë banke pranë Ministrisë së Arsimit u dogj, ndërsa në pjesë të ndryshme të qytetit u përmbysën kazanë mbeturinash dhe u dëmtuan fasadat e bizneseve lokale.
Sipas raportimit, zjarr u ndez edhe në ndërtesën e Ministrisë së Arsimit. Po ashtu, disa demonstrues dyshohet se hynë në Ministrinë e Çështjeve Ekonomike, ku dyert dhe mobiliet u dëmtuan ose u hodhën në sheshin para ndërtesës.
Blick përmend edhe pamjet e publikuara në rrjetet sociale, të cilat tregojnë disa persona duke tentuar të thyejnë derën e ndërtesës së presidiumit të parlamentit me ndihmën e një tabele trafiku të shkëputur, transmeton Telegrafi.
Përmes këtyre raportimeve, mediumi zviceran përshkruan përhapjen e incidenteve nga zona e Ministrisë së Arsimit drejt institucioneve të tjera shtetërore dhe bizneseve në kryeqytet.
20 Minuten: Protestuesit sulmuan ndërtesa, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji
Mediumi tjetër zviceran, 20 Minuten, raporton për zjarret, dëmtimin e ndërtesave dhe ndërhyrjen e policisë gjatë protestave. Në artikullin me titull «Zjarre në parlament: Përshkallëzohen demonstratat në Shqipëri», ai shkruan se të mërkurën demonstruesit i vunë zjarrin Ministrisë së Arsimit dhe se pati raportime për flakë pranë zyrës së kryeministrit Edi Rama.
Duke iu referuar gazetës shqiptare Shekulli, 20 Minuten raporton se disa persona u përpoqën të thyenin derën hyrëse të ndërtesës së parlamentit. Sipas këtij raportimi, demonstruesit arritën të hynin dhe më pas u raportua për zjarr në shkallët e ndërtesës. Policia ndërhyri, por, sipas të njëjtit burim, u detyrua të tërhiqej pasi protestuesit hodhën gurë në drejtim të efektivëve.
Për shpërndarjen e turmës, policia përdori topa uji dhe gaz lotsjellës. Mediumi zviceran raporton se demonstruesit ngritën barriera, hodhën gurë dhe kokteje Molotov.
Duke iu referuar gazetarëve të AFP-së, 20 Minuten shkruan se dy protestues u ngjitën mbi murin e Ministrisë së Arsimit dhe hodhën mjete ndezëse drejt ndërtesës. Pak më vonë, nga një dritare doli tym i zi i dendur, ndërsa zjarrfikësit arritën t’i shuanin flakët.
Raportimi përfshin edhe dëmet në një degë banke, ku disa persona thyen dritaret dhe u vunë flakën dokumenteve brenda saj. Po ashtu, u raportua për një ndërtesë që dukej se ishte e zbrazët dhe që kishte marrë flakë.
20 Minuten rikujton se trazirat kishin nisur që të martën, kur demonstruesit sulmuan Bashkinë e Tiranës, i vunë zjarrin asaj dhe dëmtuan edhe ndërtesa të tjera. Sipas policisë, atë ditë u arrestuan 16 persona.
Mediumi citon gjithashtu të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilave gjashtë efektivë policie, tetë demonstrues, tre gazetarë dhe dy kalimtarë kërkuan trajtim mjekësor. Këto shifra i referohen raportimit për protestat e së martës.
SRF: A mund të bashkohen protestat studentore me «Revolucionin e Flamingove»?
Përtej incidenteve të dhunshme, SRF e vendos situatën në një kontekst më të gjerë politik dhe shoqëror. Në një vlerësim të gazetarit Janis Fahrländer, mediumi zviceran ngre pyetjen nëse protestat studentore mund të bashkohen me lëvizjen e njohur si «Revolucioni i Flamingove».
Kjo lëvizje kundërshton një projekt të diskutueshëm të ndërtimit të një kompleksi luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore në bregdetin shqiptar. Projekti lidhet me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, dhe gëzon mbështetjen e kryeministrit Edi Rama. Flamingot që jetojnë në zonën e mbrojtur janë bërë simbol i lëvizjes protestuese.
Sipas analizës së SRF-së, protestat e kësaj lëvizjeje kanë vazhduar për gati pesë muaj, por mbështetja për to është zvogëluar dukshëm. Një nga pyetjet kryesore është nëse bashkimi i pakënaqësisë studentore me protestat mjedisore mund të krijojë një dinamikë të re dhe të zgjerojë mobilizimin kundër qeverisë.
Fahrländer vëren gjithashtu se qeveria deri më tani nuk ka treguar gatishmëri për t’iu përgjigjur kërkesave të protestuesve ose për të zhvilluar dialog me ta. Sipas tij, nga jashtë duket se qeveria synon të presë derisa protestat të kalojnë. Ai vlerëson se ekzistojnë kushtet për një vjeshtë me protesta të shumta në Shqipëri, por thekson se përmasat dhe zhvillimi i tyre mbeten të pasigurta.
Në analizën e saj, SRF thekson se pakënaqësia nuk lidhet vetëm me arsimin dhe projektin e ndërtimit, por edhe me perceptimin e një pjese të qytetarëve për elitën politike. Sipas mediumit, shumë shqiptarë i shohin elitat politike si lakmitare, të korruptuara dhe të paafta, pavarësisht përparimit të vendit në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Reagimet e qeverisë dhe Bashkimit Evropian
SRF raporton se zëvendëskryeministrja Albana Koçiu i dënoi aktet e dhunës përmes një deklarate në Facebook. Ajo tha se protestat janë një e drejtë legjitime, por kjo nuk duhet të shërbejë si pretekst për shkatërrimin e qytetit dhe përleshjet në rrugë. Koçiu u bëri thirrje studentëve të distancohen nga vandalizmi.
Ndërkohë, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë shprehu shqetësim për përshkallëzimin e dhunshëm dhe u bëri thirrje të gjitha palëve për qetësi. Sipas raportimit të 20 Minuten, delegacioni kërkoi gjithashtu që pretendimet për përdorim të tepruar të forcës policore ndaj demonstruesve dhe gazetarëve të hetohen menjëherë.
Mediumi zviceran vëren se zhvillimet po ndodhin në një periudhë kur Shqipëria po vijon negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa në fillim të javës ishte përmbyllur përkohësisht edhe një kapitull tjetër i negociatave./Telegrafi/

