José Mourinho ka reaguar ashpër ndaj vendimit për pezullimin e Vinicius Juniorit me katër ndeshje në La Liga, duke vënë në pikëpyetje momentin kur u bë publik dënimi i sulmuesit të Real Madridit.
Vendimi u njoftua vetëm dy orë para ndeshjes kundër Romës në Ligën e Kampionëve, të cilën madrilenët e fituan me rezultat 4-3, pas një përmbysjeje spektakolare.
“Ti je gazetar, por më lejo të të bëj një pyetje. A mendon se është normale që një futbollist i një skuadre spanjolle, e cila duhet të luajë një ndeshje të rëndësishme edhe për futbollin spanjoll, të mësojë dy orë para ndeshjes se është dënuar me katër ndeshje pezullim?”, deklaroi Mourinho.
Trajneri portugez më pas përdori një shprehje popullore për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj institucioneve të futbollit spanjoll.
“Në portugalisht ekziston një shprehje: macja është e fshehur, por bishti i saj shihet. Tani më duket se macja nuk fshihet më. Gjërat po bëhen hapur, pa turp”, u shpreh ai.
Mourinho vuri në dyshim edhe arsyen pse vendimi nuk u publikua më herët ose pas përfundimit të ndeshjes.
“Pse nuk e publikuan vendimin në mëngjes ose të nesërmen? E morëm vesh kur po mbërrinim në stadium. A është normale të veprohet kështu me një lojtar dy orë para ndeshjes?”, shtoi trajneri.
Vinicius do të mungojë në katër ndeshjet e ardhshme të Real Madridit në kampionat, përfshirë El Clásicon kundër Barcelonës, që do të zhvillohet më 25 tetor.
Braziliani u dënua pas përjashtimit në ndeshjen kundër Villarrealit, ku tërhoqi nga flokët një kundërshtar dhe më pas protestoi ndaj gjyqtarit.
Për Mourinhon, koha e publikimit të vendimit është po aq problematike sa vetë dënimi, ndërsa polemikat rreth trajtimit të Real Madridit nga institucionet e futbollit spanjoll vazhdojnë të shtohen. /Zëri

