Kosova synon të forcojë sigurinë energjetike përmes investimit në bateri për ruajtjen e energjisë, projekt ky që kap vlerën e përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh. Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë të mërkurën në mbledhjen e parë të Bordit të Korporatës së Ruajtjes së Energjisë (KRE), ndërmarrjes së re publike që do të menaxhojë një pjesë të kapaciteteve të këtij sistemi.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Programi Kompakt financohet me 202 milionë dollarë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), ndërsa 34.7 milionë dollarë janë kontribut i Qeverisë së Kosovës.
Kurti ka thënë se themelimi i KRE-së i shton sistemit energjetik të vendit një kapacitet që deri tani i ka munguar, duke bërë të mundur ruajtjen e energjisë kur ka tepricë dhe kthimin e saj në rrjet në orët kur kërkesa është më e lartë.
“KRE-ja është njëqind për qind në pronësi të Republikës së Kosovës. Pra, është pasuri e përbashkët e qytetarëve tanë. Pasurinë publike e mbrojmë duke e mirëmenaxhuar dhe duke e shtuar”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, korporata do të ketë në pronësi dhe do të operojë sistemin e baterive në Istog, me fuqi prej 125 megavatësh dhe kapacitet për ruajtjen e 250 megavat-orëve energji.
Krahas këtij sistemi, Kosova do të ketë edhe 90 megavat-orë kapacitet për ruajtjen e energjisë përmes sistemit të KOSTT-it në Ferizaj. Në total, sipas Kurtit, kapaciteti i ri i ruajtjes së energjisë në pronësi publike do të arrijë në 340 megavat-orë.
Kryeministri ka vlerësuar se këto investime do të ndihmojnë në balancimin e sistemit energjetik dhe në zvogëlimin e nevojës për importe të energjisë gjatë orëve të pikut.
Në mbledhjen e parë të Bordit, Kurti ka kërkuar që ndërmarrja të ndërtohet mbi profesionalizmin, rekrutimin me meritë dhe llogaridhënien, duke theksuar se menaxhimi i mirë i pasurisë publike është përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Në fund, ai ka falënderuar Ministrinë e Ekonomisë, MCC-në dhe MCA-Kosova për bashkëpunimin, si dhe Qeverinë dhe popullin amerikan për mbështetjen e dhënë për zhvillimin e Kosovës. /Lajmi.net/

