Getty Images njoftoi të hënën se do të kërkojë mbrojtje nga falimentimi dhe do të kalojë në pronësi private, pas një marrëveshjeje ristrukturimi që ofruesi i përmbajtjes vizuale pret ta përmbyllë deri në fund të vitit.
Kompania planifikon të nisë një proces të përshpejtuar dhe të parapërgatitur sipas Kapitullit 11 (Chapter 11) në javët në vijim.
Dhe ky po vlerësohet si një ndryshim rrënjësor pas dështimit të bashkimit të planifikuar me rivalin Shutterstock, në një kohë kur kompania përballej me borxhe të mëdha dhe konkurrencë në rritje nga imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale.
Pas përfundimit të ristrukturimit, filialet e familjes Getty dhe Koch Equity Development do të zotërojnë 100% të kompanisë.
Investitorët janë zotuar gjithashtu të sigurojnë deri në 533 milionë dollarë kapital të ri, bëri të ditur Getty.
Kompania shtoi se operacionet do të vazhdonin normalisht dhe se furnitorët do të paguheshin plotësisht sipas procedurave të zakonshme.
Getty, e cila konkurron me Reuters dhe Associated Press në ofrimin e fotove dhe videove për përdorim editorial, deklaroi se financimi deri në 143 milionë dollarë nga Koch Equity Development do të mbështeste procesin e ristrukturimit.
Aksionet e Getty-t kanë humbur rreth 99% të vlerës së tyre që kur kompania u rikthye në tregjet publike në vitin 2022 përmes një kompanie blerëse me qëllim të veçantë (SPAC), e cila e vlerësoi kompaninë në rreth 4.8 miliardë dollarë, pas 14 vitesh si firmë private.
Bursa e Nju Jorkut (NYSE) nisi procedurat për heqjen e kompanisë nga lista e bursës në fund të shtatorit. /Telegrafi/

