KORREKT / SOT24 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ambasada e Kosovës në Zvicër nderon me mirënjohje Hajdin Limonin, heroin që shpëtoi katër të rinj nga vetura në flakë

Ambasada e Kosovës në Zvicër nderon me mirënjohje Hajdin Limonin, heroin që shpëtoi katër të rinj nga vetura në flakë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër ka nderuar bashkatdhetarin Hajdin Limoni, duke i shprehur mirënjohje për aktin e tij heroik, kur me guxim dhe vetëmohim arriti të shpëtojë katër të rinj nga një automjet që po digjej në Wohlen të Zvicrës.

Në një postim të publikuar nga Ambasada, në Facebook, bëhet e ditur se ambasadori i Kosovës, Mentor Latifi, së bashku me këshilltaren e Ambasadës, Shukrije Ramadani, pritën në takim Hajdin Limonin për t’i shprehur mirënjohjen për veprimin e tij të jashtëzakonshëm.

Akti i Limonit ka marrë vlerësime të larta nga mediat dhe shoqëria zvicerane, ndërsa ndërhyrja e tij është vlerësuar si shembull i guximit, humanizmit dhe solidaritetit qytetar, shkruan Telegrafi.

Me këtë veprim, Hajdin Limoni dëshmoi se gatishmëria për të ndihmuar të tjerët në momentet më të vështira është një vlerë e çmuar njerëzore.

Mirënjohja e ndarë nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër përbën një vlerësim për guximin e tij dhe një moment krenarie për komunitetin shqiptar në Zvicër.

“Me guxim dhe vetëmohim të jashtëzakonshëm, z. Limoni arriti t’u shpëtojë jetën katër të rinjve nga një automjet që po digjej në Wohlen. Veprimi i tij është shembull frymëzues i guximit, humanizmit dhe solidaritetit qytetar.” , thuhet ne postimin e Ambasadës.

Ndryshe Hajdin Limoni, kishte rrëfyer në një intervistë ekskluzive për Telegrafin se si ndodhi ngjarja.

Si ndodhi ngjarja në Wohlen dhe si arriti Limoni t’i shpëtonte katër të rinjtë nga zjarri?

Hajdin Limoni, shqiptari nga komuna e Gjilanit që u bë hero në Wohlen të Zvicrës pasi shpëtoi katër të rinj nga një veturë që po digjej pas një aksidenti, ka rrëfyer ekskluzivisht për Telegrafin momentet dramatike të ndërhyrjes së tij dhe reagimet që pasuan.

Në një intervistë nga shtëpia e tij në Zvicër, Limoni tregoi se po kthehej në shtëpi kur vërejti zjarrin. Fillimisht mendoi se po digjej mali, por pasi u afrua dhe pyeti të pranishmit, kuptoi se brenda veturës kishte njerëz.

Sipas tij, flakët ishin aq të mëdha, sa personat që ndodheshin aty kishin frikë t’i afroheshin veturës. Limoni u kërkoi të ndihmonin dhe ndërhyri menjëherë për t’i nxjerrë të rinjtë.

Tutje Limoni tha për Telegrafin se në mesin e të aksidentuarve ishte edhe një vajzë me prejardhje shqiptare, pasi babai i saj është shqiptar. Limoni tregon se këtë e ka kuptuar vetëm më vonë, pasi në momentin e shpëtimit nuk e dinte se kush ishin personat që ndodheshin në veturë.

“Njëra e ka babain shqiptar. Më vonë e kam kuptu, s’kam ditë asgjë. As kush janë, as çfarë janë. Përndryshe, ata kanë shtetësi italiane”, kishte treguar ai.

Pas ngjarjes, babai i vajzës e ka telefonuar Limonin për ta falënderuar për shpëtimin.

“Babai i një vajzës më ka thirrë, më ka falënderu. Nuk janë mirë, por ai më ka falënderu që i kam nxjerrë prej flakës dhe që i kam shpëtu”, kishte rrëfyer Limoni.

Ngjarja ka ndodhur më 30 shtator 2026, rreth orës 20:45, në Wohlen të kantonit Aargau.

Në veturën që u përfshi nga zjarri, ndodheshin katër shtetas italianë që banonin aty, një vajzë 17-vjeçare dhe tre burra të moshës 17, 18 dhe 21 vjeç./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.