Gjykata Themelore në Prishtinë, ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për paraburgim ndaj të dyshuarit N.A, duke vendosur masë sigurie ndaj këtij të fundit, që ia ndalon atij t’i afrohet për një muaj vendit apo personit të caktuar.
Në njoftim theksohet se, N.A dyshohet se ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe veprës penale Marrja e ryshfetit.
Po ashtu, në komunikatë shtohet edhe se, N.A, obligohet që në largësinë prej 200 (dyqind) metra të mos i ofrohet vendit respektivisht vendit të punës Komunës së Prishtinës, si dhe Agjensionit Kadastral të Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë ndaj të pandehurit N.A.
Prishtinë, 14 Tetor 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit N.A., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe veprës penale Marrja e ryshfetit.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, si të pa bazuar dhe ndaj të pandehurit N.A. ka caktuar masën e sigurisë Ndalimi për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar, e cila masë të pandehurit iu është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, duke u llogaritur nga data 13.10.2026 deri më datë 13.11.2026.
Obligohet i pandehuri N.A. që në largësinë prej 200 (dyqind) metra të mos i ofrohet vendit respektivisht vendit të punës Komunës së Prishtinës, si dhe Agjensionit Kadastral të Kosovës. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurit do të zëvendësohet me masën e paraburgimit.
Gjykata ka urdhëruar masën Paraqitja në stacionin policor ndaj të pandehurit N.A., e cila masë do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar nga data 13.10.2026 deri më dt.13.11.2026. Gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit, nëse i pandehuri nuk respekton masën e shqiptuar. Me rastin e vendosjes, Gjykata konstatoi se me masat e lartcekura tani për tani do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e pa penguar. Detyrohet Policia e Kosovës të verifikojë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mos respektimit të saj, të informojnë gjyqtarin e procedurës paraprake të kësaj gjykate.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

